.

Leje qëndrimi dhe shtetësi kundrejt shumave të konsiderueshme, midis tre të arrestuarve edhe një grua si organizatore. Policia zbardh skemën

Tre persona kanë përfunduar në prangat e policisë së Tiranës në kuadër të një operacioni të koduar “Visa”.

Midis të arrestuarve është edhe një 39 vjeçare, e cila sipas policisë, dyshohet si organizatore e aktivitetit të paligjshëm kundrejt përfitimit të shumave monetare.

Nëpërmjet kamuflimit me një aktivitet tjetër tregtar, 39 vjeçarja në bashkëpunim me shtetasit e tjerë, u ka premtuar disa shtetasve të huaj pajisjen e tyre me dokumentacion si viza, leje qëndrimi dhe përfitimin e shtetësisë shqiptare kundrejt shumave të konsiderueshme që varionin nga 1000 deri 1500 euro.

Njoftimi:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Visa”.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Arrestohen në flagrancë 3 shtetas.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë zhvilluan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Visa”, si rezultat i të cilit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

Ç., 39 vjeçe, E. A., 32 vjeç dhe A. D., 36 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Arrestimi i shtetasve të sipërpërmendur u bë pasi shtetasja D. Ç. (e dyshuar si organizatore), nëpërmjet kamuflimit me një aktivitet tjetër tregtar, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë, u ka premtuar disa shtetasve të huaj pajisjen e tyre me dokumentacion si viza, leje qëndrimi dhe përfitimin e shtetësisë shqiptare kundrejt shumave të konsiderueshme që varionin nga 1000 deri 1500 euro.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një pasaportë që i përket një shtetasi të huaj, një vizë e dyshuar e falsifikuar, dy aparate celular dhe dokumente të ndryshme në funksion të aktivitetit kriminal.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi i dokumentave”, “Falsifikimi i vulave stampave, formularëve ose vizave”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shpërdorim detyre”, në ngarkim të 3 shtetasve të lartpërmendur./panorama