.

“Autori të çohet para drejtësisë”, Rama për incidentin në Kavajë: Politizimi i kësaj çështje ngarkon me faj Lulin dhe Metën që po zhvillon fushatë idioteske

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për incidentin që ndodhi ditën e djeshme në Kavajë, ku mbeti i plagosur një nga aktivistët e PD, Bledar Okshtuni. Në një takim në njësin 5 në Tiranë Rama tha se akti është i dënueshëm dhe menjëherë reagoi duke thënë se autori duhet të vendoset përpara drejtësisë.

Ai tha ndër të tjera, se politizimi i kësaj çështje ngarkon me faj moral, Bashën, për të cilin thotë se nuk e surprizoi reagimi që bëri, por edhe presidentin Ilir Meta, për të cilin tha se po zhvillon një “fushatë idioteske”.

“Dje ndodhi një ngjarje e papëlqyeshme për të thënë më të paktën dhe e patolerueshme për të thënë të tërën. E pa pëlqyeshme për faktin se ndodhi në sfondin e politikës së ditës dhe të fushatës, e cila s’kishte asnjë lidhje me vendngjarjen, flas për ngjarjen e Kavajës. Nuk kisha pikë dyshimi, që cilado të ishte e vërteta, ata të cilët flasin për ndryshimit dhe votës së Shqiptarëve do të rendnin atje, për të drejtuar gishtin e akuzës më ekstreme ndaj meje dhe ndaj nesh, pa pritur as një orë, as dy orë, që ngjarja të kuptohej se ça ishte.

Unë pa pritur asnjë minutë, thashë atë që duhet ta thotë ai që është serioz dhe ka seriozisht ligjin dhe të vërtetën. Që ngjarja është e patolerushme, autori duhet çuar përpara drejtësisë dhe që Lulzim Basha nuk duhet ta politizojë ngjarjen, ndërkohë Meta duhet ta ndalë fushatën e tij idioteske, të fushatës. Basha ende nuk kishte folur, por tha atë që mendova që do të thosthe, e jo atë që duhet të thoshte një njeri që pretendon të bëhet kryeministër. Sot gjithçka është e zbardhur, autori jo vetëm që s’ka lidhje me PS, por është një militant i PD, në një sherr që s’kanë asnjë lidhje me politikën.

Natyrisht mund të kishte ndodhur të ishte e kundërta, të ishte i joni, që për të njëjtin sherr të bënte të njëjtin akt. Kjo s’do të shfajësonte në asnjë mënyrë PS, por PD është e fajësueshme për politizimin skandaloz për atë ngjarje. Në atë ngjarje është plagosur një njeri, ndërsa politizimi plagos të gjithë shoqërinë. Në atë ngjarje është bërë një vepër penale, ndërsa politizimi i kësaj ngjarje është një tjetër vepër e shëmtuar morale. Si mundet të jesh zëdhënës i ndryshimit dhe thjesht e vetëm të zgjasësh ndryshimin, që e kanë mishëruar, lidershipin e asaj partie”, u shpreh Rama.