.

Rusia i hedh benzinë më tej zjarrit, arrestohet diplomati ukrainas në Shën Petersburg

Rusia ka arrestuar një diplomat ukrainas në Shën Petërsburg, pasi e akuzon atë se ka arritur të marrë informacione të klasifikuara nga agjencia kryesore ruse e sigurisë, ndërsa tensioni mes dy vendeve vijon të rritet.

Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) tha se Oleksandr Sosonyuk, konsulli i Ukrainës, u arrestua gjatë një takimi me një shtetas rus, të cilit ai i mori informacion të klasifikuar i përfshirë në bazën e të dhënave të FSD.

“Natyra e këtij veprimi është e qartë, armiqësore. Ai do të gjykohet në përputhje me normat e të drejtës ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë. Sosonyuk drejtonte konsullatën e Ukrainës në Shën Petërsburg.

Kjo ngjarje vjen në një moment kur tensionet mes dy shteteve janë të larta dhe ekziston frika se situata aktuale mund të përfundojë në luftë.

“Daily Mail” shkruan se më shumë se 100 mijë trupa ruse janë vendosur në kufirin me Ukrainën. Në anën tjetër, Ukraina ka kërkuar anëtarësimin në NATO si mbrojtje nga fqinjët, duke kërcënuar se do të nisë ndërtimin e armëve bërthamore nëse refuzohet kërkesa e saj.