.

Manastirliu ndjek vaksinimin në sheshin ‘Skëndërbej’: Nga e hëna nis për moshat +60 vjeç me sëmundje kronike, regjistrohuni te mjeku i familjes

Në Ditën Botërore të Shëndetit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ishte ne Qendrën e re Shëndetësore të Krrabës, në periferi të Tiranës, ku po vijon vaksinimi antiCOVID i të moshuarve, i cili tashmë i shtrirë në mënyre kapilare në të gjithë Shqipërinë.“Brenda kësaj jave synojmë që të ulim fashën, grupmoshën për vaksinim. Por nga ana tjetër, paralelisht do të vijojmë me planin tonë të vaksinimit për ata të cilët janë më vulnerabël. Duke filluar nga dita e sotme fillon edhe vaksinimi i farmacistëve. Ndërkohë që po vijojmë me vaksinimin e efektivëve të policisë, po vijojmë me vaksinimin e stomatologëve në të gjithë vendin. Jemi duke ecur me ritme të shpejta për vaksinimin masiv të popullatës sipas grupmoshave, por nga ana tjetër dhe të grupeve të cilat janë grupe të rrezikuara, duke bërë pikërisht vaksinimin e kombinuar, atë që ne kemi përcaktuar në planin tonë të vaksinimit kombëtar”, -tha Manastirliu.

Dukë bërë me dije finalizimin e programit të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore, Manastirliu deklaroi se sistemi parësor shëndetësor tashmë është transformuar dhe ofron shërbime dhe kushte dinjitoze për qytetarët dhe personelin mjekësor.

“Unë jam shumë e kënaqur që edhe sot në Ditën Botërore të Shëndetit, ne kemi çfarë bilanci të bëjmë, për punën që kemi bërë në transformimin e sektorit shëndetësor. Jam krenare që tashmë program ynë i 300 qendrave shëndetësore, që ka siguruar përmirësimin e infrastrukturës së shërbimeve të kujdesit parësor në të gjithë vendin, tashmë është finalizuar. Jemi këtu në qendrën shëndetësore të Krrabës, e transformuar rrënjësisht, ku më shumë se 4 mijë banorëve u ofrohet një shërbim cilësor, por nga ana tjetër sigurohen edhe kushte shumë më të mira pune për mjekët dhe infermierët”, deklaroi Manastirliu.
Në Ditën Botërore të Shëndetit Manastirliu ka falenderuar stafet mjekësore, duke vlerësuar punën e bërë në këto muaj të vështirë të pandemisë.

“Në këtë Ditë Botërore të Shëndetit, do të doja që të falenderoja nga zemra të gjithë ekipet tona të shëndetësisë, jo vetëm për punën që ato kanë bërë përgjatë gjithë kësaj kohe, por edhe në këtë vit të vështirë, shumë sfidues për shëndetësinë, për atë që ato kanë mbajtur si peshë, për sakrificën, profesionalizmin dhe përkushtimin”, -tha Manastirliu.

Procesi i vaksinimit anticovid vijon në të gjithë vendin, në qendrat e vaksinimit të përqendruar si dhe në qendrat shëndetësore. Deri tani janë kryer 221,680 vaksinime, nga të cilat 153,495 janë të moshuar të vaksinuar në të gjithë vendin.