.

Seancë e pazakontë për Prokurorin e Tiranës në KPK/ Vetting për babanë e ndjerë që punonte si noter

Seanca dëgjimore me prokurorin e Tiranës, Bledar Maksuti u duk si një proces vetingu ndaj babait të tij të ndjerë, ish-prokuror, noter dhe avokat si dhe krijuesi kryesor i pasurive në familjen e subjektit.

Anomalia u nxorr në pah edhe nga trupa gjyqësore e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit si dhe nga vëzhguesja ndërkombëtare, Elka Ermenkova.

“Më duket sikur kemi bërë vetingun e babait tuaj. Më vjen keq, se ai nuk është më,” tha në fund të seancës relatorja Genta Tafa Bungo.

Bledar Maksuti e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore dhe e ushtron funksionin e prokurorit prej vitit 2008.

Në seancën e së premtes, ai u përball me gjetjet për pasaktësi në deklarime si dhe mungesa të burimeve financiare –të cilat lidheshin në të gjitha rastet me të ardhurat, shpenzimet dhe transaksionet e kryera nga babai i tij.

Prokurori Maksuti tha në seancë se ka qenë në një trung familjar me të atin dhe se kanë jetuar gjithmonë bashkë. Ai këmbënguli se apartamenti i vetëm që zotëron familja është krijuar me të ardhurat e ligjshme të babait të tij.

“Mund të ketë pasaktësi, por gjithçka është deklaruar në mënyrë të vërtetë,” tha Maksuti.

Prokurori Bledar Maksuti u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Procesi i vetingut për të po kryhet nga trupa e drejtuar nga Suela Zhegu, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtar Lulzim Hamitaj.

Gjetjet për pasurinë

Sipas raportit të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI, prokurori Bledar Maksuti dhe personat e lidhur me të kanë kryer deklarime të pasakta ndër vite, deklarime të rreme si dhe nuk kanë burime të ligjshme për pasuritë e krijuara.

Gjatë relatimit doli se pasuria kryesore e familjes ishte një apartament me sipërfaqe 133.4 m2 me vlerë 60 mijë euro në Tiranë.

Bungo relatori fillimisht lidhur me konstatimet e ILDKPKI, që kishte raportuar fshehje të kontratës së sipërmarrjes që rezultonte në shumën 5.2 milionë lekë dhe deklarim të rremë lidhur me vlerën.

ILDKPKI ka ngritur dyshime se çmimi i pasqyruar në kontratë ishte më i vogël nga çmimi real i deklaruar prej subjektit, me qëllim shmangien e pagesës së një pjese të detyrimeve.

Të njëtat konkluzione, ILDKPKI ka raportuar edhe për vlerat e pasqyruara në kontratat e shitjes së dy apartamenteve të mëparshëm; një në Dibër dhe i dyti në rrugën “Don Bosko” në Tiranë.

Të ardhurat e përfituara nga shitja e këtyre dy apartamenteve janë deklaruar si burim për krijimin e apartamentit që zotëron aktualisht familja Maksuti.

Bungo tha se vlera e shitjes së apartamentit në Dibër është deklaruar 2.5 milionë lekë, ndërkohë që në kontratë figuron 1 milion lekë. Ndërsa vlera e deklaruar për blerjen e apartamentit në rrugën “Don Bosko” në Tiranë ka qenë 3.5 milionë lekë, nga 1.9 milion lekë që pasqyrohet në kontratën e shitjes.

Komisioni evidenton mospërputhje mes vlerës 60 mijë euro të pasqyruar në deklaratën “veting” për blerjen e apartamentit aktual si dhe asaj 5.2 milionë lekë të shënuar në kontratë.

Relatorja Bungo pohoi se subjekti kishte shpjeguar se apartamenti ishte blerë karabina dhe vlera 60 mijë euro e deklaruar përfshin edhe investimet e tjera të kryera prej tyre për ta bërë apartamentin të banueshëm.

Komisioni ka përfshirë në analizën financiare vetëm vlerat e pasqyruara në kontratat e shitjes së dy apartamenteve dhe familja Maksuti ka rezultuar me diferencë negative prej 4.5 milionë lekësh.

Sipas relatores, ndaj barrës së provës, subjekti i rivlerësimit ka dhënë shpjegime dhe ka dorëzuar prova, të cilat do të vlerësohen gjatë vendimarrjes përfundimtare.

Prokurori Maksuti falënderoi në seancë trupin gjykues për hetimin dhe komunikimin që kishin pasur gjatë procesit dhe deklaroi se ishte përgjithësisht dakord me vlerësimet e kryera për kriterin e pastërtisë dhe profesionalizmin.

“Me raportin e ILDKPKI nuk jam dakord,” tha Maksuti, ndërsa theksoi disa herë se familja e tij zotëron vetëm një apartament, ndërkohë që ai vetë, babai dhe bashkëshortja kanë pasur secili të ardhura mbi mesataren.

“Babai ka punuar 30 vjet si prokuror para viteve ’90 dhe prej vitit 1992, si avokat dhe noter. Në këtë shtëpi kemi jetuar të gjithë,” tha ai, ndërsa theksoi se nuk i takonte barra e provës për pasuritë e krijuara prej babait të tij.

Ai shtoi më tej se në kohën e blerjes së apartamentit në Dibër ai kishte qenë vetëm 16 vjeç, ndërsa kur ishin kryer pagesat për apartamentin në rrugën “Don Bosko” kishte qenë student.

“Kam kryer pagesat, pasi babai jetonte në Peshkopi. Unë nuk kisha ku ti gjeja paratë në atë periudhë,” shtoi Maksuti, duke i konsideruar të dhënat për shitjen të vërteta dhe të sinqerta.

Ai shtoi gjithashtu se apartamenti ku jetojnë aktualisht është porositur nga i ati përpara se të bëhej prokuror dhe ka qenë 100% në pronësinë e babait.

“Unë nuk kam të drejtë pronësie për apartamentin,”këmbënguli Maksuti.

Relatimi nxorri mungesa financiare edhe në shit-blerjen e disa automjeteve si dhe në blerjen e një garazhi në vlerën e 6 mijë eurove.

Komisioni konstatoi mosdeklarimin e një huadhënie në shumën 1 milion lekë nga prindërit e subjektit një të afërmi në vitin 2006. Ndërkohë, Bungo tha se nuk është provuar mundësia financiare e huamarrësit për kthimin e vlerës 1 milion lekë në vitin 2009.

Pamundësi financiare është konstatuar edhe për një dhurim të kryer nga prindërit e bashkëshortes së subjektit në shumën 800 mijë lekë si dhe për një vlerë 200 mijë lekë të deklaruar si të dhuruar nga familjarë e të afërm të ndryshëm me rastin e lindjes së fëmijës. Megjithëse bashkëshortja e subjektit ka deklaruar gjendjen cash 800 mijë lekë, këto shuma nuk janë përfshirë në analizën financiare.

Maksuti pohoi se shuma 800 mijë lekë i është dhënë bashkëshortes para martesës dhe se nuk duhet t’i kalonte barrë prove. Ai theksoi se ajo e kishte kthyer vlerën. Për vlerën 200 mijë lekë të deklaruar si dhuratë nga të afërmit për fëmijët, Maksuti sqaroi se u ishin dhënë shuma të ndryshme nga familjarët e të afërmit me rastin e lindjes së tyre, ashtu siç ndodh përherë në raste të tilla.

Komisioni konstaton pamundësi financiare edhe në disa huadhënie të kryera nga babai i prokurorit Maksuti, megjithëse rezulton që transaksionet të kenë qenë të dokumentuara. Babai i subjektit i ka dhënë një hua në shumën 4.5 milionë lekë një mikut të tij. Si burim është deklaruar shuma 45 mijë euro e kthyer nga motra e subjektit. Bungo tha se subjekti nuk ka deklaruar saktë huanë që babai i ka dhënë motrës si edhe kthimin e vlerës 5 mijë euro.

Relatorja shtoi se babai i subjektit nuk ka pasur mundësi t’i japë vajzës shumën 45 mijë euro dhe për pasojë kjo shumë nuk është përfshirë në analizën financiare, prej nga ka rezultuar në pamundësi edhe për dhënien e huasë 4.5 milionë lekë në vitin 2015.

Babai i subjektit ka rezultuar në pamundësi financiare edhe për dhënien e një huaje tjetër në vitin 2015 nipit të tij, në shumën 1.5 milionë lekë. Sipas KPK, edhe për këtë huadhënie është deklaruar si burim krijimi shuma 45 mijë euro e kthyer nga e bija.

Lidhur me huatë, subjekti i rivlerësimit shpjegoi se babai i kishte ndihmuar gjithmonë të afërmit dhe miqtë kur kishin patur nevojë.

Bungo tha se prokurori Maksuti ka deklaruar të ardhura në vlerën 33 milionë lekë dhe se ka dorëzuar dokumentacion të pjesshëm për të ardhurat e siguruara nga babai nga puna si avokat dhe noter. Sipas saj, subjekti nuk ka depozituar dokumentacion për të vërtetuar të ardhurat e të atit për periudhën 1993-1999 dhe shtoi se në analizën financiare janë përfshirë vetëm ato vlera që konfirmohen prej institucioneve shtetërore.

Relatorja Bungo tha se nga analiza e përgjithshme financiare ka rezultuar se subjekti dhe personat e lidhur kanë qenë në pamundësi finanicare për krijimin e pasurive dhe kryerjen e shpenzimeve me një vlerë totale 9.3 milionë lekë. Ajo shtoi se subjekti ka dorëzuar shpjegime dhe prova për barrat e provës që i janë kaluar që do të vlerësohen gjatë vendimarrjes përfundimtare.

Prokurori Maksuti shpjegoi se pasi Drejtoria e Tatimeve Dibër nuk ka kthyer përgjigje lidhur me detyrimet e paguara nga i ati, i ka kërkuar të lëshojë vërtetim nëse ka qenë i regjistruar apo nëse ka pasur detyrime të papaguara.

“Rezulton se ka qenë i regjistruar si avokat dhe noter dhe se nuk ka asnjë detyrim të papaguar,” pohoi Maksuti dhe vijoi se kishte kontrolluar në zyrën e të atit dhe kishte gjetur aktet për periudhën 1992-1996.

“E theksoj se ky është burimi i pasurisë që rrjedh nga puna e tij si avokat e noter,” këmbënguli Maksuti dhe tha se kishte dorëzuar me qindra akte që provonin punën e të atit si avokat. “Kam gjetur regjistrat noterialë dhe ka bërë 13 mijë akte atëherë,” shtoi ai, duke theksuar se kishte dorëzuar disa regjistra në formë të skanuar.

Maksuti theksoi se në përiudhën kur ka punuar si prokuror, për arsye etike, ka qëndruar jashtë aktivitetit profesional të të atit.

Pasi prokurori Maksuti dha shpjegimet e tij, relatorja Genta Tafa Bungo e cilësoi si të vështirë situtatën në të cilën gjendeshin për të kryer rivlerësimin e tij për kriterin e pasurisë.

Komisioneri Hamitaj tha se ndante të njëjtin qëndrim me Bungon për faktin se dukej sikur vetingu po kryhej për të atin e subjektit dhe e pyeti këtë të fundit nëse pretendimi për mungesën e detyrimeve në tatime ishte apo jo i besueshëm.

Maksuti tha se kishte arritur të gjente vetë 2 dokumente për pagesën e detyrimeve për dy vite dhe kërkoi që bazuar edhe në vërtetimin e lëshuar nga Tatimet se nuk kishte detyrime të papaguara, të merreshin të mirëqëna edhe për vitet e tjera.

Edhe vëzhguesja ndërkombëtare, Elka Ermenkova tha në seancë se i vinte keq që gjithçka ishte konstatuar kishte të bënte me babanë e subjektit.

“Dua të kuptoj se cili ishte qëndrimi juaj dhe i familjes tuaj për deklarimet pas vitit 2008, kur ju ishit prokuror”, kërkoi ajo.

Maksuti pranoi në seancë se kishin rënë në dijeni se si duhej të ishte deklarimi me miratimin e ligjit për procesin e rivlerësimit.

“Është një faj i përbashkët. Por i kam besuar dhe i besoj verbërisht babait për ndershmërinë e tij, lidhur edhe me deklarimet,” tha ai.

“Kam punuar me ndershmëri unë dhe im atë. Edhe ju po e thoni se po i bëhet vetingu atij”, deklaroi prokurori Maksuti, i cili kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më 16 prill, ora 09:15. /Birn/