.

Një minë në Detin e Kuq, dëmtohet anija e gardës revolucionare iraniane

Një anije iraniane e përdorur nga trupat e Gardës së Republikës Islamike, raportohet se është dëmtuar nga një shpërthim në Detin e Kuq, në brigjet e Jemenit.

Agjencia e lajmeve “Tasnim”, e cila është e lidhur me IRGC, raportoi se anija, u dëmtua pas shpërthimit të një mine që ishte vendosur në të. Raporti tha se anija ka qenë e vendosur në Detin e Kuq në disa vitet e fundit “për të mbështetur komandot iraniane të dërguara në misionet e shoqërimit të anijeve tregtare (kundër piraterisë)”.

Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme iraniane e quajti incidentin një “sulm”. Më herët, transmetuesi saudit “Al Arabiya” citoi burime të paidentifikuara të thoshin se anija u sulmua në brigjet e Eritresë dhe ishte e lidhur me IRGC. New York Times citoi llogaritë e mediave sociale të lidhura me IRGC, të cilat pretendonin se Izraeli e kishte kryer sulmin. Izraeli nuk e ka konfirmuar këtë informacion, raportoi gazeta. Por, sipas një zyrtari amerikan të paidentifikuar, Izraeli kishte informuar Shtetet e Bashkuara për rolin e tij pas sulmit, raportoi New York Times.

Incidenti vjen mes viteve të përleshjeve detare midis forcave iraniane, izraelite dhe perëndimore. Por, incidenti ndodhi gjithashtu në kohën kur filluan bisedimet e tensionuara ndërkombëtare në Vjenë që synojnë të ringjallin marrëveshjen bërthamore të Iranit me fuqitë botërore, nga e cila Uashingtoni u tërhoq tre vjet më parë./TCH