.

Meta për grevën në AlbControl: Kryeministri në detyrë t’i thërrasë mendjes, nuk jemi në Amerikën Latine të para disa dekadave

Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama t’i thërrasë mendjes, duke iu referuar grevës së kontrollorëve në AlbControl.
Në një konferencë nga Vlora, Meta tha se nuk shqetësohet nga “provokime të qëllimshme që kanë vetëm një problem, dramën e zgjedhjeve pluraliste që një mendje e marrë përjeton për ato që do të vijnë”.
Meta i ka drejtuar dhe dy pyetje ministres Belinda Balluku.
“Kam kërkuar zyrtarisht që organet drejtuese dhe qeveria t’i japin zgjidhje përmes dialogut në përputhje me rregullat dhe duke iu referuar praktikave më të mira të vendeve fqinje.
Presidenti më 2 prill kërkon marrjen e masave për zgjidhjen e situatës, ministrisë së transporteve, ministria nuk angazhohet për të zgjidhur situatën, por për të shantazhuar më tej kontrollorët dhe duke nisur procedurat e shkarkimit të disa prej tyre. Pas nisjes së disa shkarkimeve kanë filluar dhe largimet në masë nga puna. Kam një pyetje për ministren e transportit që sot doli për të provokuar dhe akuzuar Presidentin e Republikës?
Si shpjegohet që për 10 muaj me radhë për një çështje të sigurisë kombëtare nuk gjete kohën të takoheshe me kontrollorët?
Si shpjegohet që ato letrat për koncesionin e aeroportit të Rinasit, i bëre për një ditë?
AlbControli ka një llogari financiare në EuroControl në të cilën derdhen të ardhurat, nëse ka ndonjë problem në bllokimin e një llogarie të tillë duhet të jepet arsyeja dhe duhet punuar për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme.
Në këtë moment delikat dua të shpreh keqardhjen time për veprimin e atyre kontrollorëve, qoftë të atyre që janë provokuar, qoftë të atyre që janë larguar nga puna, por në radhë të parë dua t’i bëj thirrje kryeministrit në detyrë t’i thërrasë mendjes sepse nuk mund të bëhen lojëra të tilla në një moment të tillë për gjithë arsyet që përmenda dhe nuk jemi në Amerikën Latine të para disa dekadave, prandaj unë nuk e humbas durimin dhe nuk shqetësohem nga provokimet e qëllimshme që bëhen, të cilat në fakt kanë vetëm një problem, dramën e zgjedhjeve pluraliste që një mendje e marrë përjeton për ato që do të vijnë, të cilat do të bëhen dhe nuk e luan topi”, deklaroi Meta.