.

Meta: Aeroportin e Kukësit e kam bërë unë kur isha kryeministër

Presidenti i Republikës Ilir Meta tha sot nga Vlora se aeroportin e Kukësit e ka bërë ai kur ishte kryeministër, si dhuratë e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Kreu i Shtetit tha se aeroportit iu vu emri i një sheiku, por se kryeministri pas tij, ndonëse nuk ia përmendi emrin ‘i papërgjegjshëm i hoqi emrin’ dhe Emiratet e Bashkuara u mërzitën dhe u tërhoqën.

“Kemi bërë 7 aeroporte dhe rrezikojmë aeroportin e Rinasit. Kemi bërë 8 aeroporte deri tani. A e kemi bërë aeroportin e Kukësit? A e dini ju që kur është bërë aeroporti i Kukësit? Aeroportin e Kukësit e kam bërë unë, kur isha kryeministër, dhuratë e Emirateve të Bashkuara Arabe. E kam bërë unë. Kanë dhënë ata 20 milionë dollarë, për t’i nderuar për ndihmën që na dhanë në kohën e luftës së Kosovës, etj. etj. i vumë edhe emrin e sheik Zajedit, babait që më priti mua dhe pse ishte i sëmurë atëherë pas krizës së Kosovës dhe çfarë ndodhi pastaj se ata kishin marrë angazhime të mëdha? Kishin marrë angazhime të bënin lidhje Dubai-Kukës-Londër- AbuDhabi-Kukës, erdhi një i papërgjegjshëm pas meje, kuptohet jo z. Majko, por një tjetër si kryeministër dhe i hoqi emrin dhe ata u mërzitën dhe nuk kanë hapur as ambasadë sot. Se i fusin një bojë këta, i fusin ndonjë lajle-lule, i fusin një tender andej-këtej, kjo është çështje tjetër”, deklaroi Meta.