.

Video/Nuk pranonte as ta përmendte emrin e vendit, menaxheri dardan detyron gazetarin spanjoll të thotë “Kosovë”

Shtypi spanjoll ka vendosur të ruajë politikat e shtetit të tij përgjatë kësaj kohë, duke mos e përmendur emrin e Kosovës në artikujt e tyre, madje edhe duke iu referuar me termin territor. Diçka të tillë e ka bërë edhe media e njohur “AS“, por që sot është detyruar të thotë hapur emrin e Kosovës.

Meqenëse Spanja nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës, trajtimi që i kanë bërë mediat spanjolle nuk ka qenë aspak i këndshëm, madje gazeta “AS” nuk e ka vendosur aspak emrin e Kosovës në renditje duke lënë thjesht flamurin…

Pikërisht në konferencë, kur gazetari i AS i drejtoi një pyetje trajnerit të Dardanëve, Challandes, menaxheri Bajram Shala ka marrë fjalën duke detyruar gazetarin të thotë pyetje për “trajnerin e Kosovës”…

Gazetari: Spanja vjen pas dy ndeshjeve të vështira, mendoni se Luis Enrique do të ndryshojë shumë gjëra për këtë ndeshje (kundër Kosovës)?

Shala: Kujt i drejtohet pyetja?

Gazetari: Për trajnerin.

Shala: Trajnerit të…? Trajnerit të…? Sepse nuk e kemi parë emrin e ekipit tonë kombëtar asnjëherë në median tuaj. Prandaj, do të duhej të ishte e qartë se për trajnerin e cilit ekip është pyetja.

Gazetari: Pyetja është për trajnerin. Dua të di nëse ka një koment për faktin që Luis Enrike mund të ndryshojë shumë gjëra për ndeshjen e nesërme.

Shala: Po, por për trajnerin e cilës skuadër? Sepse nuk e kemi parë kurrë emrin e ekipit tonë kombëtar në raportimet e gazetës tuaj.

Gazetari: Pyetja është për trajnerin…

Shala: Të cilës skuadër?

Gazetari: Të Kosovës…

Shala: Në rregull. Tani ai do të përgjigjet.

Një nga çështjet që u komentua më së shumti këto ditë ishte nëse Spanja do ta lejojë ekzekutimin e himnit të Kosovës dhe flamurin në këtë ndeshje, pasi ky shtet nuk e njeh pavarësinë e Dardanëve… Për këtë çështje ka folur kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Ai deklaroi se nëse nuk do të shfaqet flamuri dhe nuk do të vendoset himni i Kosovës para ndeshjes, ekipi do ta largohet nga fusha.

“E dimë që Spanja është një shtet jashtëzakonisht i fortë dhe i lashtë dhe e ka një histori me shqiptarët. Ju e dini që këtu janë varrezat e Asim Vokshit dhe Xhemajl Kadës që kanë dhënë jetën e tyre për çlirimin e popullit spanjoll. Pastaj te historia e re e Kosovës dhe të krijuarit e Kosovës shtet është një burrështetas pikërisht i Spanjës i cili ka dhënë urdhër për bombardimin e NATO-s në favor të Kosovës. Ai është Javier Solana. Po ashtu edhe ushtarët spanjollë janë pjesë e NATO-s dhe KFOR-it që edhe sot janë pjesë në Kosovë”.

“Duke i marrë parasysh këto unë asnjëherë nuk kam dyshuar. Unë i falënderoj shumë Federatën e Spanjës që na ka pritur jashtëzakonisht mirë me protokoll dhe jashtë protokollit në mënyrën më të mirë shoqërore”./Gazeta SI