.

88.6 mijë të dypunësuarve u “ulen” pagat: Duhet të paguajnë tatimin shtesë deri në 30 prill

Të gjithë të punësuarit, që gjatë vitit 2020 kanë pasur dy punë, pavarësisht shumës që janë paguar në secilën prej tyre, do të duhet të deklarojnë të ardhurat e përfituara në vitin 2020, deri më 30 prill 2021.

Kjo do të sjellë automatikisht rritje të tatimit të të ardhurave për këtë kategori, pasi do të përjashtohen vetëm njëherë nga TAP zero deri në kufirin e 30 mijë lekëve dhe nëse të ardhurat e dy pagave i kalojnë 150 mijë lekë në muaj, do të tatohen për diferencën me 23% (duke zbritur tatimin e paguar gjatë vitit).

Deklarimin, deri tani e bënin të punësuarit dhe dypunësuarit me të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë, por nga viti 2021 këtë do të duhet ta bëjnë dhe ata që nuk e kalojnë kufirin e 2 milionë lekëve, sipas ndryshimit të ligjit të tatimit mbi të ardhurat.

Sipas të dhënave zyrtare nga tatimet numri i dy ose më shumë punësuarve (të paktën për një muaj pra jo domosdoshmerisht i dypunësuar për 12 periudha të vitit), marrë nga listëpagesat e deklaruara gjatë vitit 2020 është 88,590 individë. Nga këta 2,634 individë kanë pasur pagën bruto gjatë 2020-s mbi 2 milionë lekë.

Ligji ka hyrë në fuqi në janar 2020 dhe deklarimi për pagat e 2020-s do të duhet të bëhet deri në fund të prillit 2021, kur individët do të duhet më pas të derdhin në bankë tatimin shtesë.

Sipas ndryshimeve ligjore dhe udhëzimit që e shoqëron atë, individët rezidentë ose jorezidenë, të cilët janë të punësuar në më shumë se një punëdhënës, deklarojnë në deklaratën e tyre vjetore të të ardhurave, në një shumë të vetme, të gjitha të ardhurat e siguruara nga punësimi, llogarisin shumën totale të detyrimit tatimor mbi pagat, zbresin, kur është rasti, tatimin e mbajtur nga punëdhënësi dhe përcaktojnë shumën e detyrimit tatimor që duhet të paguajnë për buxhetin e shtetit.

Sipas Drejtorisë së Tatimeve, kjo formë e tatimit shmang evazionin dhe sjell një vlerësim më të drejtë për ata persona që marrin të njëjtën shumë parash, por njëri individ e merr në një vend pune dhe tjetri në dy apo më shumë.

Të dypunësuarit, që kanë punuar një vit të plotë do të paguajnë të paktën edhe 34 mijë lekë shtesë në vit.

Automatikisht, tatimi i të dypunësuarve, që filloi të zbatohet për të ardhurat e 2020-s, ul pagën reale të tyre, sidomos kjo më e ndjeshme për kategoritë që marrin paga minimale dhe për të siguruar jetesën janë angazhuar në dy apo më shumë punë (fason, pastrim, etj).

Kjo do të bëjë që individi i dypunësuar, i cili ka pasur p.sh., dy paga minimale nga 26 mijë lekë secila, të paguajë minimumi edhe 13% të diferencës prej 22 mijë lekë (52 mijë lekë-30 mijë lekë), prej 2,860 lekë në muaj, ose 34320 lekë në vit (280 euro). Kjo është shuma minimale, pasi sa më e lartë paga, aq më shumë do të paguhet tatim shtesë mbi të ardhurat.

Të dypunësuarit duhet të mendojnë ndërkohë dhe për tatimin e 2021-shit (që do ta paguajnë deri në prill 2022), që do të jetë më i lartë për shkak se paga minimale nga 1 janari 2021 është rritur në 30 mijë lekë. Kjo do të bëjë që shuma minimale e tatimit e cila do të paguhet deri në prill 2022 të jetë 3,900 lekë në muaj, ose 46,800 lekë në vit, apo 400 euro më shumë çdo vit.

Nga 1 janari 2022, qeveria ka deklaruar se kufiri i pataksueshëm do të rritet nga 30 mijë lekë në 40 mijë lekë, ndërsa tatim prej 23% do të paguhet për pagat mbi 250 mijë lekë, nga 150 mijë që është sot.

Të dhënat lidhur me pagat do të dalin të para-plotësuara

Deri në janar të vitit 2020, kategoria e tatimpaguesve të cilët deklaronin të ardhurat e tyre nga dypunësimi, si dhe të ardhura të tjera (DIVA) ishte e atyre individëve që kishin të ardhura deri në 2 milionë lekë në vit.

Sipas tatimeve, në 2020-n bënë deklarimin për të ardhurat 12.3 mijë individë që në 2019-n kishin të ardhura më të larta sesa 2 milionë lekë.

Lexo edhe këtë: Shtohen “milionerët e vegjël”, 12.3 mijë individë kanë të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë; një e treta e tyre janë të dypunësuar

Sipas Tatimeve, tashmë janë të detyruar që të plotësojnë deklaratën e të ardhurave personale përfshirë edhe ata që kanë të ardhura nën 2 milionë lekë. Të gjithë këta duhet të plotësojnë DIVA-n, të bashkojnë të ardhurat bruto nga punësimi dhe shpërblimet e marra, të rillogarisin tatimin për të ardhurat personale sipas tabelës së tatimeve me përqindjet e caktuara.

Tatimet bëjnë të ditur se të dhënat lidhur me pagat do të dalin të para-plotësuara, ashtu siç u veprua edhe vitin e kaluar. Aplikimi bëhet online: https://www.tatime.gov.al/c/7/153/per-individe

Individët që e kanë deklarimin për herë të parë duhet të regjistrohen në eFiling https://efiling.tatime.gov.al/cats_public/UserManagement/Registration

Pas regjistrimit, individi duhet të klikojë te ‘deklaratat’ dhe të zgjedhë ‘tatimin mbi të ardhurat personale’. Në momentin që klikon ‘krijo deklaratë të re’, dalin të dhënat e paraplotësuara për pagën dhe tatimet e paguara dhe diferencës që është detyrimi dhe individi duhet të plotësojë vetëm të dhënat personale. Shuma e detyruar për t’u paguar del në kutinë (35) TATIMI I DETYRUAR PER T’U PAGUAR.

Pagesat mund të bëhen dhe me këste

Tatimet bëjnë të ditur se individët nëse nuk kanë mundësi për të paguar të gjithë shumën njëherësh, kanë dhe alternativën e pagimit me këste. “Parimisht, bazuar në nenin 77, të ligjit nr.9920/2008 “Për procedurat tatimore në RSH”, i ndryshuar, Kur një rrethanë financiare pengon tatimpaguesin për të paguar në afat detyrimet tatimore, ai mund të lejohet të lidhë në çdo kohë marrëveshje pagese me këste. Në të njëjtën kohë tatimpaguesi duhet të vërtetojë që është në kushtet e pamundësisë financiare për të paguar të plotë detyrimin tatimor, si dhe të tregojë që pavarësisht nga rrethana financiare, ai është në gjendje të përmbushë marrëveshjen”./ Monitor