.

Anglia shumë e fortë, Shqipëria humbet 2-0 në “Air Albania”

Një ndeshje që në letër nuk ka dyshime dhe në fushë ashtu është. Anglia është ekip shumë i fortë për Shqipërinë e Edy Rejas dhe sigurisht nuk është Anglia rivali ynë për objektivat tanë. Në “Air Albania”, sfida e shumëpritur përfundoi me fitoren e “Tre Luanëve” që dominojnë kuqezinjtë me rezultatin 2-0 me golat e Kane dhe Mount.

Përpara një ekipi të tillë, kaq të fortë nuk bëmë paraqitje të keqe edhe pse mbetet pengu për të shënuar të paktën në portën e tyre sepse rastet nuk munguan.

Në pjesën e parë rastin e parë flagrant e kishte Shqipëria në minutën e 13’ ku në një kundërsulm, Hysaj shërbeu Uzunin në sulm i cili pothuajse vetëm kundër Pope e nxorri topin mbi tra. Mëkat për një rast të tillë të pakonkretizuar.

Minuta e 28, ishte Anglia pranë avantazhit me Mount nga e djathta që fut një top në zonë, Berisha nuk arrin dhe Sterling ishte gati të shënonte por Ismajli mbylli mjaft mirë.

Vetëm 2 minuta më pas Shqipëria po në një kundërsulm nga e djathta me Hysajn që shërben një top në thellësi me Uzunin nuk arrin ta kapë më parë se portieri anglez.
Në një moment shumë të mire të kuqezinjve, në minutën e 39’, Shqipëria ndëshkohet nga bomberi Harry Kane i cili nuk fal me kokë pas një pasimi nga e majta e Luke Shaw. Vetëm 3 minuta më pas po Kane mund të dyfishonte rezultatin por u ndal nga traversa.

Në fraksionin e dytë, është e njëjta histori, dominin në qarkullim dhe lojë e miqve me përpjekjet tona për ta kapur në befasi kundërshtarin.

Në minutën e 52’, dridhet sërish Shqipëria pasi Phil Foden goditi shtyllën me të majtën por ishte Berisha vendimtar që preku dhe devijoi topin në shtyllën e dytë.

Në minutën e 60’, Reja tenton të bëjë diçka për të ndryshuar lojën me aktivizimin e Manajt në vend të Cikalleshit dhe Gjasulës në vend të Memollës, ndërkohë që Broja i la vendin Lenjanit, pra 3 zëvendësime të menjëhershme për të ndryshuar rrjedhjen e takimit.

Kur pritej reagimi i tanëve, një gabim në mbrojtje na kushton golin e dytë me Mason Mount i shërbyer nga Kane, nuk falë përballë Etrit Berishës, Anglia dyfishon.

Pavarësisht përpjekjeve të skuadrës së Rejës në minutat në vazhdim, loja e zhvilluar ngjante si menaxhim dhe dorëzim përpara këtij rezultati që duhet pranuar si I merituar nga Anglia, të cilët mund të shënonin dhe më shumë. Tashmë për kuqezinjtë është objektivi për t’u rikthyer menjëherë te fitorja ndaj San Marinos, pasi ajo është ndeshja që ne nuk duhet të gabojmë.