.

Pandemia e COVID 19, ISIS dhe raporti i SHISH/ Si po organizohen grupet terroriste


Vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor u përdorën, në fillimet e konfliktit në Siri, si rajone për rekrutime, çka solli një numër të lartë luftëtarësh të huaj terroristë (LHT) nga rajoni. ISIS/DAESH dhe Al-Kaeda e kanë shënjestruar në vijimësi rajonin nëpërmjet propagandës, thirrjeve e nxitjeve për akte terroriste.

Aktualisht, gjendja paraqitet e përmirësuar, vendet e rajonit kanë përforcuar masat kundër terrorizmit, kanë vënë në zbatim strategji efektive e reforma ligjore në luftën kundër terrorizmit si dhe kanë forcuar bashkëpunimin rajonal e ndërkombëtar. Niveli i kërcënimit për akte terroriste në rajon vijon të vlerësohet i ulët, por me prirje në rritje, sidomos në prag të ngjarjeve simbolike.

Deri tani, në rajon nuk ka pasur akte terroriste të bashkërenduara me pasojë viktima, por nuk kanë munguar nxitjet, organizimet për të tilla, të cilat kanë gjetur terren të përshtatshëm në individë të radikalizuar, të gatshëm për t’iu përgjigjur thirrjeve të tyre. Synimet dhe planet për akte terrori janë identifikuar dhe neutralizuar në fazë të hershme.

Udhëtimet e Luftëtarëve të huaj terroristë nga Shqipëria drejt organizatave terroriste, pas vitit 2015 e në vijim kanë qenë të shpeshta. Pas trysnisë ushtarake, humbjes së Kalifatit të vetëshpallur fizik, reduktimit të financave dhe burimeve njerëzore, ISIS/DAESH ka filluar tashmë zbatimin e strategjisë së shndërrimit në një lëvizje klandestine, e cila vijon të përbëjë kërcënim për sigurinë ndërkombëtare.

SHISH-i vlerëson se kthime masive të luftëtarëve të huaj terroristë (LHT) nuk janë të pritshme në terma afatshkurtër. Një pjesë e tyre, mund të tentojë të kthehet në vendet e origjinës ose në vende të treta, nëpërmjet rrjeteve të trafikut njerëzor dhe krimit të organizuar.

Më gjasë, organizata do të tentojë të ringrihet në rajone me vakum sigurie. Kërcënimi terrorist në rajon dhe në vendin tone janë ulur ndjeshëm e po shkojnë drejt ndërprerjes. Numri i të raportuarve të vrarë është rritur: 21% e numrit total. Rreth një e treat e tyre janë kthyer tashmë, kryesisht para adresimeve ligjore. Në terma të përgjithshëm, të kthyerit në rajon kanë ruajtur profil të ulët por, shumë prej Luftërarëve të huaj terroristë të kthyer në vendet e origjinës kanë gjetur të njëjtat kushte jetese, çka ka ndikuar në radikalizmin e mëtejshëm të tyre dhe vijimin e veprimtarive ekstremiste apo bërjen pjesë të komploteve të zbulura terroriste.

Në raportin më të fundit të Shërbimit Informativ Shtetëror thuhet se mundësia që vendi ynë dhe rajoni të përdoren si vend tranzit për luftëtarët e huaj apo operativët terroristë drejt vendeve evropiane është në nivel të ulët, për shkak të forcimit të menaxhimit të kufijve dhe bashkëpunimit dypalësh, rajonal apo ndërkombëtar me shërbimet partnere strategjike, por mbi të gjitha për situatën që po kalon e gjithë bota, me Covid 19./gazetashqip