.

Kërkimi i dëshpëruar i revoltës që mund të “vrasë” Edi Ramën

Nuk ngeli njeri nga aktorët e zëshëm në rrjetet sociale që nuk u solidarizuan me protestën e studentëve.

Foto dhe video të postuara së bashku me komente të ndryshme; dikush e shikonte të bukur, dikush civilizuese, dikush emancipuese, dikush tjetër një shpresë për rininë që i ka ikur shpresa. Zëra pranë opozitës normalisht që e përkrahën fort, duke akuzuar edhe media që sipas tyre nuk e pasqyruan si duhen. Numri tre i PD-së, Edi Paloka, shkoi edhe më tej duke bërë “coming out”-in e tij se edhe ai kishte qenë përsëritës në provime, si e si të gjente një kimi me studentët protestues.

Ish-kryeministri Sali Berisha, por edhe zëra të tjerë të fortë në opozitë, i bënë thirrje studentëve të mos tërhiqen, por të vijojnë deri në fund që të rrëzojnë qeverinë.

Mazhoranca, përveç provokimit të Ramës, është tërhequr dhe ka pranuar kërkesat e studentëve.

Por a mund të jetë një protestë e tillë, një frymë që mund të ngrejë një lëvizje politike në vend për ndryshim, për të “gozhduar arrogancën e qeverisë”?

Në një vend normal me sistem demokratik, e institucione jo vetëm kushtetuese por edhe sociale, protestat janë mekanizëm i gjallë reagimi.

Protestat mund të vijnë nga çdo pjesë e shoqërisë, studentët, sindikatat, OJF-të por mbi të gjitha nga partitë politike që janë institucione zyrtare në vend.

Kërkesat e hedhura andej këtej që partitë të qëndrojnë jashtë reagimeve qytetare, duken absurde, pasi partitë politike janë dhe funksionojnë për të komunikuar me shoqërinë.

Ndërkohë, shumë veprimtarë pranë opozitës i shikojnë protestat e lindura si ato të Unazës së Re, apo edhe të studentëve, si shkëndija të një ndjenje të fortë proteste që ekziston në publik ndaj qeverisë dhe që nuk mund të durohen nga njerëzit.

Ndoshta mund të qëndrojë kjo tezë. Njerëz, shtresa, grupe popullsie janë të pakënaqur, të irrituar, të frustruar dhe kërkojnë që të reagojnë.

Ndodh në çdo vend, madje edhe jo demokratik.

Por detyrë e politikës, në rradhë të parë e opozitës është ta kanalizojë protestën e qytetarëve, ta adresojë atë në një axhendë politike që i drejtohet publikisht qeverisë, së bashku me një propozim alternativ.

Madje, duke komunikuar çdo ditë me këto shtresa të popullsisë që protestojnë apo duan të protestojnë, prezantojnë edhe ekipin që lidh urat me këto shtresa.

Dhe kështu del në publik me ekipin drejtues që nesër do të jetë qeverisës i vendit.

Duke kërkuar në mënyrë të qartë, të prerë e të hapur, rrugët, por edhe kohën e realizimit të kërkesave që së bashku me protestuesit të krijojnë një rrymë politike që i del përballë qeverisë.

Por e gjithë kjo rrugë përfshin padyshim vetëm një gjë: zbatimin e axhendës demokratike në vend.

Që nëse do të duhet të ketë rotacion, ai do të vijë vetëm nga kutia e votimit.

Andi Bushati ka kërkuar që të merren edhe armët kundër Edi Ramës.

Çim Peka, thuajse me të njëjtin nerv, kutr theksonte se me çdo mjet duhet rrëzuar Piktori.

E zëmë se një lëvizje popullore krijohet dhe me mjete të forta rrëzon qeverinë e Edi Ramës.

Po kush vjen pas tij? Një qeverie e re e kujt? Kush e emëron? Kuvendi ku opozita nuk është pjesë?

Opozita kërkon rregulla loje të reja, sepse nuk beson se qeveria mban zgjedhje të lira e të ndershme?

Mund t’i artikulojë hapur dhe konkretisht këto rregulla loje dhe t’i kërkojë si kushte që ajo të jetë pjesë e Kuvendit.

Dhe më pas mund të hartojë një plan konkret se si opozita i adreson kërkesat e protestuesve: sa mendon ajo se duhet të dëmshpërblehen ata që u prishen shtëpitë te Unaza e Re.

Si mendon të bëjë arsimin e lartë falas siç e kërkuan studentët sot.

Mund të bëjë një plan konkret dhe të padisë në Gjykatë planin e qeverisë për prishjen e shtëpive dhe ndërtimin e Unazës.

Edi Rama dikur fitoi në Gjykatë kundër qeverisë Berisha për prishjen e mbikalimit të Zogut të Zi.

Vetëm atëherë, kur asnjë prej rrugëve normale institucionale nuk ecin, opozita, hapur, ballazi dhe pa lëvizje të fshehta, mund të udhëheqë një revoltë popullore duke ju drejtuar popullit për të rrëzuar qeverinë, së bashku me një plan se çdo të ndodhë më pas.

Të dalin përpara njerëzve Lulzim Basha e Monika Kryemadhi, duke shpallur alternativën ndaj Edi Ramës.

Nëse vërtetë populli do të ndjekë opozitën masivisht, atëherë nuk ka asnjë qeveri apo edhe regjim që i qëndron forcës së njerëzve.

Ndërkohë që entuziazmi për çdo protestë që lind në ditë të veçanta apo sezone sipas çështjeve që hedhin në treg zyrat e propagandës së Ramës e Bashës, vetëm e çorientojnë opinionin dhe e polarizojnë atë.

Duke vrarë natyrisht jo vetëm shpirtin e protestës, por edhe shpresën e njerëzve…

Hapur.al