.

Pse partia e Kryemadhit po mbron ish-ministrin Xhafaj?

Dokumentari i fortë i Top Channel për Fatmir Xhafajn, ka sjellë reagimet e para në opinionin publik dhe pikërisht nga këto reagime po shikohen se nga vijnë korrentet e tyre.

Çuditërisht këto reagime nuk kanë ardhur nga ana e Partisë Demokratike, e cila pak muaj më parë organizoi një sulm artilerik ndaj ish-ministrit të Brendshëm, por nga qarqe të aleates së PD-së dhe ish-aleates së Partisë Socialiste.

Bëhet fjalë për qarqe të LSI-së, apo siç cilësohen ndryshe, “grupi i sulmit” propandistik të partisë së Monika Kryemadhit.

Dritan Kaba, këshilltar i grupit të LSI-së dhe drejtues i gazetës zyrtare të kësaj partie dhe Ylli Dylgjeri, gjithashtu pjesëtar i grupit komunikativ të LSI-së, e kanë konsideruar dokumentarin si një goditje të klaneve të Edi Ramës dhe Saimir Tahirit.

Sipas Dritan Kabës, Skenaristi i “Dritëhijet e Fatmir Xhafajt” është Edi Rama, ndërkohë që regjizori është Saimir Tahiri.

Dylgjeri, është në një linjë me kolegun e tij të partisë, por i jep një gjuhë më humoristike siç e ka stil të shkrimeve të tij.

“Në luftë – tha shoku Shefqet,

më shumë kuadro na i hëngri gopi se topi!

Në paqe, kuadrot po na i ha Top Channel!!!

…sonte në Top ripashë edhe njëherë “Tabllonë Sinoptike” të armikut Mehmet Shehu.

Të rrojë Partia!”, shkruan Dylgjeri.

Po pse nga LSI u lëshua një sinjal drejt Xhafës duke sulmuar Edi Ramën?

Duket se gjërat nuk janë shumë të rastësishme.

Dhe kjo u pa edhe me qëndrimin e Presidentit Ilir Meta ndaj zëvendësuesit të Fatmir Xhafajt, përkatësisht ministrit aktual Sandër Lleshaj.

Në fundin e marsit të këtij viti, kur Rama dërgoi në Kuvend dekretin për të votuar Xhafajn Ministër i Brendshëm, Meta, atëherë kryetar Kuvendi mblodhi menjëherë seancën plenare.

Ndërkohë Lleshajn e vonoi dy javë, duke në detyrë Xhafajn edhe pse të dorëhequr, kur në opinion u fol për një drejtim nga ministri i dorëhequr nëse Meta nuk do të dekretonte Lleshajn.

Ndërkaq, pas mbarimit të zgjedhjeve të 25 qershorit, nga LSI u dha një variant i mundshëm për përkrahjen e një qeverie pa Ramën, ku kryeministër mund të ishte Fatmir Xhafaj apo Pandeli Majko.

Marrëdhëniet e Xhafajt me Erion Veliajn, kryqëzohen me relacionet mëse të qeta të kryebashkiakut të Tiranës me LSI-në.

Një marrëdhënie që përfshin brenda interesa mëse tangenciale, që si rezultante kanë armiqësinë me grupin që Xhafaj sulmoi sapo u bë Ministër i Brendshëm, atë që përkrah Saimir Tahirin.

Për herë të parë po tentohet publikisht një lëvizje për të çarë PS-në, e cila pas 5 viteve pushtet, duket se po nis të prishë paqen që sipas gjasave nuk ka qenë reale.

Kjo u pa edhe nga rebelimi i Erion Braçes në Kuvend, që edhe pse jo shumë i plotë, ishte gjithsesi një sinjal.

Sinjal që LSI po synon ta shfrytëzojë, qoftë edhe për të rikuperuar “plagosjet” e shkaktuara nga humbja e pushtetit.

Në një çarje të mundshme të PS-së, LSI e ka dhënë sinjalin që është gati të presë disidentët e rinj socialistë.

Fundja partia e Metës, si disidencë e socialistëve lindi./hapur.al