.

Emisionet nuk duhet të zëvendësojnë institucionet!

Të enjten e kaluar, “Studio e  Hapur” mori përsipër të sensibilizonte institucionet e shtetit shqiptar të bënin punën e tyre. Nuk është hera e parë qe ky emision apo të tjerë, i vënë vetes këtë detyrë të vështirë.

Të enjten që shkoi, programi “Studio e Hapur” publikoi letrën që babai i gjyqtares së ndjerë Fildez Hafizi, i dërgonte institucioneve më të rëndësishëm në vend, por edhe ambasadorëve më të rëndësishëm. Vetëm dy ditë pasi postoi letrën, Bynjamin Hafizi, mbylli sytë në shtratin e një spitali, si për të refuzuar të shihte më tej realitetin tragjik ku jetonte prej një viti nga vrasja e vajzës së tij dhe u nis në rrugëtimin e përjetshëm .

Shpresoj që babë e bijë të jenë takuar tashmë e të prehen në paqe, pasi amaneti i tij i fundit së paku u plotësua.

Në letrën që “Studio e  Hapur” publikoi ekskluzivisht, babai i gjyqtares thoshte: “Po ju drejtohem juve z. Zaganjori si kryetar i Gjykatës së Lartë, ju lutem të merrni në konsideratë dhe me prioritet  kërkesën në mënyrë të tillë që kolegji penal i Gjykatës së Lartë, të shprehet brenda afatit 30 ditor lidhur me gjykatën kompetente që duhet të  bëjë gjykimin e kësaj dosjeje.

Ai shton më tej se shqyrtimi gjyqësor duhet të fillojë sa më parë në mënyrë që vrasësi i së bijës  të dënohet siç e meriton, pa u rrezikuar përfundimi i afateve të paraburgimit. Duke kujtuar sloganin “Drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar”, babai i gjyqtares Fildes Hafizi shton më tej në letrën e tij: “Po kërkojmë që drejtësia të vihet në vend të paktën kësaj rradhe. Jemi të lënduar dhe i vetmi ngushëllim do të ishte dhënia e drejtësisë dhe jo zvarritja e saj”.

Bynjamin Hafizi nuk rrojti aq sa të shihte të paktën që Kryetari i Gjykatës së Lartë iu përgjigj pozitivisht thirrjes së tij dhe programit “Studio e Hapur”.

Edhe pse nuk kemi asnjë përgjigje nga qeveria për pensionin e fëmijeve të Fildez Hafizit të mbetur pa nënë por edhe pa baba pasi e refuzojnë këtë të fundit,  stafi i  emisionit “Studio e Hapur” ndjehet i çliruar nga pesha  e amanetit të Bynjamin Hafizit, por edhe krenarë për një mision human të arritur.

Thënë kjo, vlen të theksojmë se gjithmonë e më shumë emisionet duket se po zëvendësojnë institucionet , shumë kolegë çdo ditë  e më tepër  po impenjohen të zgjidhin halle e derte njerëzish që nuk dinë ku të trokasin.

Kështu bëjnë çdo javë emisionet e Neës 24 “Me zemër të hapur” dhe “Shqiptarët për shqiptarët”,  “Stopi” i Klanit dhe `Fiksi` i Topit apo shumë të tjerë.

Kështu bëri dhe “Opinion” disa kohë më parë me historinë e 6 fëmijëve jetimë që e uli kryeministrin në poltronën pakuptim të bamirësit edhe pse fati i të gjithë fëmijëvë të Shqipërisë, varet prej tij.

Për sa humane mund të jetë per median, kjo situatë është bërë absurde. Detyra e parë e medias nuk është kjo. Çfarë bëhët me ata mijëra njerëz që nuk e kanë mundësinë të trokasin në portën e një emisoni apo televizioni? Çfarë do të ndodhë sikur të gjitha emisionet të ktheheshin në agjenci zgjidhjeje hallesh dhe problemesh nga më të ndryshmet? Sa e vështirë dhe në kufijtë e të pamundurës është për një gazetar, të përzgjedhë se dramën e kujt të zgjidhë dhe kë të lërë pas dere?

Çështja  e vrasjes së gjyqtares Hafizi, do të trajtohet nga Gjykata e Krimeve të rënda me vendim të Gjykatës së Lartë, pas sensibilizimit të emisionit “Studio e  Hapur” të enjten e kaluar. Janë gati 25 mijë çështjet që presin të trajtohen nga Gjykata e Lartë . Nëse do zbatonim të njëjtin standart, do të duheshin 25 mijë emisione televizive për t’i dhënë përgjigje në kohën e duhur.

Gjithsesi, “Studio e  Hapur” do të vazhdojë të ushtrojë dimensionin human sa herë të jetë e mundur, me shpresën e madhe se nuk do të jetë e largët koha kur institucionet të mos zëvendësohen nga emisionet./HAPUR.AL