.

Të gjitha akuzat e drejtpërdrejta dhe mes rreshtash, që bëri sot Saimir Tahiri për Edi Ramën

Kur lajmëroi sot një konferencë shtypi, në ambientet mediatike të gjithë filluan të ngrenë hipotezat e tyre. E padyshim që njëra ishte ajo se Saimir Tahiri do të deklaronte lënien e mandatit. Kjo po të kemi parasysh edhe presionin e madh ndërkombëtar, ku disa deputetë gjermanë nuk kanë hezituar ta thonë troç, ashtu si rrallë herë flet politika dhe diplomacia e huaj, se u fol edhe për çështjen e Saimir Tahirit me Ramën dhe se dorëzimi i tij para drejtësisë, është kusht për çeljen e negociatave. Por nga ana tjetër e vinim në dyshim që kjo të ndodhte, duke patur parasysh ardhjen e Saimir Tahirit në Parlament një javë më parë për të shpëtuar mandatin e tij si dhe masazhi që ai dha para gazetarëve se nuk do kishte bir ku..ve që ta akuzonte atë. Pra si mund ta dorëzonte mandatin Tahiri sot, ndërkohë që nxitoi ta shpëtonte atë një javë më parë? E megjithatë ndodhi! Se çfarë do bëhet tani me Tahirin, do kemi mundësi ta shohim në ditët në vijim. Objekt i këtij shënimi është një tjetër, akuzat që Tahiri bëri ndaj Ramës, por më së shumti pa e cituar atë. Ishin ato mesazhet mes rreshtave të cilat po të lexohen me kujdes, përkthehen në akuza të qarta ndaj atij me të cilin deri dje ngriti “Frontin ndaj së keqes” dhe e kishte në krah. Ndërkohë siç thotë Tahiri, njësoj si kundërshtarët e tij, ai sot Ramën e ka përballë. T’i analizojmë me rradhë.

Tahiri në fjalën e tij tha: “Duke blerë kundështarin në parlament, ia hodhën. Duke mbyllur gojë, duke blerë heshtje, në pazarin e madh bodrumeve të parlamentit ku bien dakort njeri mos merret me të shkuarën e tjetrin, tjetri mos merret me të tashmen e njërit. Duke blerë media, portale, sondazhe. Në shqipëri e jashtë shqipërisë. Ku një artikull ku shahem unë, pasohet nga një tjetër ku lavdërohet ai që e ka paguar.”  Tek ky paragraph Tahiri hedh akuza të rënda për ish kolegët e tij të cilët janë akoma në pushtet. Le të themi që këtu Tahiri ka folur me gjuhën e opozitës, atë që ajo bën përditë teksa akuzon Ramën si njeriun që ka blerë median, që iu jep drejtuesve të tyre si dhe disa oligarkëve, tendera dhe konçesione. Opozita akuzon përditë pushtetarët si njerëzit që paguajnë mediat e huaja për shkrime pozitive për ta. E bëri edhe Tahiri sot!

Më pas janë dy momente ku Tahiri e përmend Ramën si njeriu që heshti për sukseset e tij si dhe i fërkoi shpatullat opozitës kur ajo e akuzonte. Ai thotë: “Ta dini për statistikë: Hapni shifrat e GdF, në 4 vjet të qeverisë ku shërbeva edhe unë, ti mbledhësh bashkë, kultivimi i hashashit është më pak sesa vetëm 1 vit i Sali Berishës kur ishte Kryeministër. Nuk e thotë njeri këtë. Për fat të keq as deputetët e PS. As ministri i brendshëm se ka përmendur kurrë. As kryeministri jo”. Dhe momenti tjetër: “Dhe prapë në fund, mbeta vetëm unë me avazin e Saliut e Lulit që vjellin të njëjtat akuza për mua. Edi Rama i falenderoi për kontributin opozitar.”

Tjetër akuzë ndaj kryeministrit Rama është emërimi i Visho Ajazit si Ambasador nga ana e Edi Ramës. Ai ishte njeriu që sipas Tahirit, kishte punuar kundër tij, por që Rama e ngriti në detyrë. “Visho Ajazi i SHIK-ut të Saliut, për turpin e madh sot është ambasador i propozuar po nga qeveria për të cilën unë shërbeva”. – thotë Tahiri.

Tahiri artikulon qartë akuza ndaj Ramës dhe qeverisë së tij, pasi sipas ish-ministrit, ata janë fajtorët që varfëria ka pllakosur dhe se ky problem nuk zgjidhet edhe nëse Tahiri shkon në burg. “Shqiptarët nuk do marrin rroga e pensione në Evropë por këtu, ndaj rroga e pensione që nuk dalin as për bukën e gojës, e që janë më pak sesa vetëm 1 shishe verë në drekat e darkat tuaja, paguajini sot. Nuk ua kam fajin unë….Ekonominë nuk do e bëjë Europa e integrimi, ndaj oligarkët që i palluat me tendera e para të shqiptarëve, lekë që vodhët duke paguar për një rrugë 3 herë, për një shkollë 4 herë e për një spital 5 herë e sot as egzistojnë, paguajini sot.” – akuzon Tahiri.

Tahiri tregon në fjalën e tij për mënyrën se si kanë negociuar njerëz pranë Ramës që të blinin heshtjen e tij. Ai thotë se sot i ka të gjithë përballë, pa përjashtuar këtu as Ramën: “Më  këshillonin të mos flisja shumë, se nuk është çështje nervash kjo, por llogarish. Kshu e ka politika. Tregtarët e gënjeshtrave dhe pazarxhitë e politikës, dolën në treg. Nuk më kanë njohur mirë, aq sa të kuptonin se nuk ka qenë se nuk dija, por se nuk doja që armiqtë, hajdutët, pazarxhit e dallaveret e politikës t’i mbaja në krah. Unë kam zgjedhur t’i vë përballë e nuk ka pasur e as ka asnjë lloj privilegji që më ndërron mëndje. Tani janë bërë gjithë bashkë përballë meje. Pushka top t’ju bëhet!”

E ndërkohë që Tahiri iu a bën me dije të vetëve që nuk do të ndalet, presim se cili do të jetë veprimi i tij i rradhës, tashmë si një qytetar i thjeshtë që pret drejtësinë të thotë fjalën e saj për të dhe ne presim nëse ai i ka thënë të gjitha apo s’kemi parë asgjë akoma./hapur.al