.

Rama ka bilanc zero, Bushati shkoi në Kretë në mënyrë jo serioze…

 

Nga Erl Murati

Edi Rama ka 5 vjet kryeministër, por ka një bilanc nul për punën e qeverisë. Kështu u shpreh kryeredaktori i Gazetës Shqiptare, Erli Murati në edicionin e lajmeve të Syri.net, të moderuar nga Alen Xhelili.

Murati tha se Rama premtoi shëndetësinë falas, por një gjë të tillë nuk e realizoi, atëherë na lind pyetja edhe sa mandate duhet të presim ne për shëndetësinë falas. “Ne duhet të bëjmë një bilanc për punën e qeverisë, pasi Rama po vijon të flasë ende sikur është në fushatë. Kemi një qeveri që nuk ka bilanc, Rama ka 5 vjet kryeministër dhe ka një bilanc nul”, tha Murati, duke sjellë në kujtesë edhe thënien e ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili apeloi për largimin e qeverisë nëse ajo nuk përmbush premtimet e saj.

Gjithashtu, gazetari Murati, komentoi edhe takimin dyditor në Kretë mes ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati dhe homologut grek, Nikos Kotzias.

“Bushati shkoi në Kretë dhe ia merr valles. Ky është një paradoks pasi nuk mund të paraqitesh në një takim për një çështje mjaft serioze si ajo e kufijve në mënyrë jo serioze. Mendoni për një moment sikur të vinte Kotzias në Tiranë dhe të kërcente vallen çame apo atë të Tropojës për të vijuar më pas të diskutonte një çështje të tillë”, tha Murati.

Në vijim ai shtoi se Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn e ka përmendur çështjen e kufijve si një kusht për anëtarësim në BE, pra Shqipërisë i është shtuar një kusht për të zgjidhur problemet që mund të ketë me fqinjët për kufijtë dhe kjo tregon se Greqia përmes diplomacisë së saj, ka arritur që çështjen e kufijve ta kthejë në një kusht të ri për palën shqiptare në rrugën e saj të integrimit.

© SYRI.net