.

Ministrja e Bujqësisë thirrje Voltana Ademit: Dëmshpërble me fondin e bashkisë banorët e përmbytur të Nën-Shkodrës

Ministrja e Bujqësisë, Milva Ekonomi, ka deklaruar sot nga Shkodra se banorët e përmbytur në zonën e Nën Shkodrës duhet të dëmshpërblehen nga bashkia e këtij qyteti, që drejtohet nga Voltana Ademi.
Sipas ministres Ekonomi, këta banorë duhet të dëmshpërblehen përmes fondit prej 4% të emergjencave civile të vetë Bashkisë Shkodër.
Ministrja tha se bashkia duhet që të bëjë vlerësimet e dëmeve dhe më pas të bëjë dëmshpërblimet. Në rast se ka nevojë për fond shtesë, atëherë do të shqyrtohet nga ana e qeverisë. Ministrja Ekonomi ishte në Shkodër për t’i dhënë kartën e parë të naftës falas fermerit Kujtim Lamthi nga Malësia e Madhe, i cili është i pari që aplikoi në e-Albania për naftën falas. Aktiviteti u zhvillua në mjediset e Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë në Shkodër.