.

“Mezi po pres të jap lajmin”, Rama: Po punoj me mish e me shpirt, ja kur nis vaksinimi masiv

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se shumë shpejt do të nisë vaksinimi masiv në Shqipëri. Kreu i qeverisë nuk dha një datë të caktuar, por u shpreh se “jemi shumë afër”.
Duke iu referuar tërmetit dhe pandemisë, Rama tha se gjysma e mandatit ka qenë luftë. Siç po ringrihemi pas tërmetit shkatërrimtar, Rama premtoi se do të fitojmë edhe luftën me pandeminë.
“Gjysma e këtij mandati ka qenë luftë me dy fatkeqësi të jashtëzakonshme. Siç po dalim fitimtarë nga lufta e madhe me tërmetin, ashtu do të dalim edhe nga kjo luftë globale me armikun e padukshëm dhe pasojat e pandemisë. Ky është moment kyç që kjo luftë po goditet me vaksinimin. Duke parë se çfarë ndodh mes disa vende, si Izraeli dhe Britania e Madhe po shohin daljen nga tuneli i pandemisë.
Është shumë e qartë se vaksinimi është një armë e pazëvendësueshme për të filluar çlirimin e vendit dhe për ta kthyer në një vend pa covid. Izraeli vendos një bast të madh dhe sot disponon gjithçka që i duhet. Për këtë arsye unë jam me mish dhe më shpirt i angazhuar që sa më shpejt të disponojmë një sasi vaksinash që të hyjnë intensivisht në një fazë finale të luftës ndaj covid.
Ashtu siç siguruam kontratën me Pfizer jashtë radhe, ashtu sikundër arritëm të fusim në process dhe do përmbyllim brenda javës së fundit të marsit vaksinimit të bluzave të bardha, shumë shpejt do nisë vaksinimi masiv. Nuk mund të jap shumë detaje por jemi shumë afër. Nuk e them dot fjalën e fundit, por mezi po pres ta them.”, deklaroi Rama.