.

Lëvizja për Ndryshim prezanton kandidatët për Tiranën, Topalli: Ndryshimi nuk vjen nëse presim një kohë tjetër

Themeluesja e partisë Lëvizja për Ndryshim, Jozefina Topalli prezantoi sot listën e kandidatëve me të cilët kjo forcë e re politike do të hyjë në zgjedhjet e 25 prillit.

Topalli tha se kandidatët e partisë së saj janë ndryshe nga politikanët e vjetër dhe synojnë të sjellin shpresën në Shqipëri.

“Ndryshimi nuk vjen nëse presim për një kohë tjetër, ndryshimi që kërkojmë të ndjekim jemi vetë ne. Thonë që koha i ndryshon vetë gjërat, por duhet të jemi ne vetë ta bëjmë atë. Të bëjmë atë që kemi në dorë, në vend që të ankohemi për atë që nuk mundemi.

Lëvizja për Ndryshim synon të kthehet në shpresë, jemi kundër korrupsionit të instaluar në çdo qelizë të shtetit nga tre kryetarët e tre partive. Mesazhi nga Kosova apo Italia është mënyra se si bëhet politikë në botë. Boll më me riciklim të personave që kanë provuar çdo post në të kaluarën. Përtej Ramës, Bashës e Metës ka 3 milionë shqiptarë të tjerë patriotë, jo si këta që na kanë marrë peng.

Ata të tre janë përgjegjësit që në Shqipëri s’ka shpresë dhe një të djathtë reale. Përgjegjësit e polarizimit politik dhe ekonomik të Shqipërisë. Ftesa jonë nuk është për ato që nuk ndryshojnë mendje, por ftojmë mendje hapurit, të ndershmit, çdo të ri, prind që duan t’i kthejnë dinjitetin çdo shqiptari. Kjo është lista më e mirë e tre dekadave me profesionistë të nderuar, mjekë e të rinj të shkëlqyer. Janë të pakorruptuar, dinjitozë, njerëz me kurajo”,- tha Topalli.