.

Zgjedhjet në Kosovë, KQZ nuk certifikon listat e Lëvizjes Vetëvendosje, AAK-së e Nismës


Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar subjektet politike: Vetëvendosje dhe Nisma Socialdemokrate dhe listat e tyre të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

KQZ nuk ka certifikuar as listën zgjedhore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim i rekomandoi KQZ-së që t’i certifikojë të gjithë kandidatët për deputetë, të cilët janë në kuadër të listave zgjedhore të subjekteve politike.

Por, kjo u kundërshtua nga shumica e anëtarëve të KQZ-së të cilët vendosën që të votojnë një nga një për subjektet politike, pasi disa prej tyre nuk i kishin zëvëndësuar kandidatët për të cilët Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) kishte thënë se nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

KGJK kishte thënë se “janë 47 kandidatë nga rreth 1.080, të cilët janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit”.

Sipas rekomandimit të Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike për KQZ-në, lëvizja Vetëvendosje nuk kishte zëvëndësuar 5 kandidatë, ndërsa Nisma Socialdemokrate 12 kandidatë./ REL