.

Rikthehet rekordi i errët i infektimeve nga Covid-19 në Spanjë, ministri i Shëndetësisë paralajmëron dorëheqjen

Spanja ka regjistruar një numër rekord të infektuarish nga Covid-19 në 24 orët e fundit. Sipas asaj që raporton Ministria e Shëndetësisë nga testet e bërë rezultuan mbartës të virusit 44.357 raste.

Pavarësisht shifrave shumë të larta, autoritetet janë shprehur optimistë se situata ka nisur të stabilizohet. Ata thanë se presioni për spitalet do të vijojë të jetë prezent.

Shifrat e ditëve të fundit, e kanë çuar numrin e të infektuarve në Spanjë në 2,456,675 persona, ndërkohë që 55.041 të infektuar kanë humbur jetën që prej nisjes së pandemisë.

Ndërkohë, Ministri spanjoll i Shëndetësisë, Salvador Illa, ka paralajmëruar se do të japë dorëheqjen javën e ardhshme për të bërë fushatë në zgjedhjet rajonale në Katalonjë.

Illa kishte njoftuar edhe më parë dorëheqjen e tij në momentin që do të niste fushata për zgjedhjet, që do të mbahen më 14 shkurt, por ky vendim merret në një moment që vendi është në gjendje kritike për shkak të pandemisë.