.

Paga minimale 300 mijë lekë/ Ministrja Denaj: Është rritje drejt formalitetit. Me biznesin privat nuk janë hasur problematika

Ministrja e Financave, Anila Denaj ka bërë të ditur se biznesi privat i është përgjigjur pozitivisht vendimit të qeverisë për rritjen e pagës minimale me 40 mijë lekë, duke e çuar në 300 mijë lekë të vjetra.

E ftuar në emisionin “Java” në RTSH, Denaj u shpreh se ka pasur nga ato biznese private që e kanë thënë se kjo i shkon në ndihmë individit, sepse ai rrit më shumë kontributet, si edhe të ardhurat.

Po ashtu Ministrja shtoi se Shqipëria është një vend që ka pasur struktura të larta të informalitetit dhe rritja me 300 mijë është edhe një rritje drejtë formalizmit.

“Ne e kemi konsultuar. Unë si Ministre e Financave kam në mbikëqyrje edhe tregun e punës dhe këshilli kombëtar i punës ka detyrim ligjor rritjen e pagës minimale.

Biznesi privat nuk ka pasur problematika në rritjen e pagës minimale. Madje ka pasur nga ata që kanë thënë se kjo i shkon në ndihmë individit, sepse ai rrit më shumë kontributet, si edhe të ardhurat.

Duhet të theksojmë se ne vijmë nga struktura të larta të informalitetit dhe rritja me 300 mijë është edhe një rritje drejtë formalizmit”, tha ministrja Denaj./TVSH