.

Çfarë i bën viruset infektues?

Viruset shumohen brenda qelizave që pushtojnë duke përhapur materialin e tyre gjenetik falë virioneve. Por si formohen virionet?

Falë rezultateve të një studimi të botuar në “PLOS Pathogens”, ne jemi pak më afër për të kuptuar funksionimin e komplikuar të viruseve. Studiuesit kanë përshkruar për herë të parë se si enteroviruset, një gjini e virusit që i përket familjes Picornaviridae, pjesë e së cilës janë poliovirus (i cili shkakton poliomielit) dhe rinovirusi (një nga më shumë se 200 patogjenë që shkaktojnë ftohjen e zakonshme) gjithashtu “paketojnë” materialin e tyre gjenetik, duke e përhapur atë në qeliza dhe duke i infektuar ato.

Viruset janë parazitë të detyrueshëm, sepse ata nuk mund ta transformojnë ushqimin përmes metabolizmit, dhe as nuk mund të riprodhohen vetë. Për ta bërë këtë, ata domosdoshmërisht duhet të hyjnë në qeliza. Deri më tani e dinim që një virus, për të shumuar vetveten, formon “kopje” të materialit të tij gjenetik, virione, të cilat më pas i lëshon në qelizat fqinje. Ajo që nuk ishte e qartë dhe zbulimi i së cilës përfaqëson risinë e studimit të kryer nga universitetet e Leeds dhe York në Britaninë e Madhe, ishte mënyra se si u bë bashkimi i virioneve.

Hulumtimi përshkruan në detaje rolin e të ashtuquajturve sinjale paketimi ARN, seksione të vogla të ARN (acid ribonukleik, i vetmi material gjenetik i virusit) të cilat, së bashku me proteinat që përmbahen në zarfin e virusit, kontribuojnë në formimin e një virioni infektiv. Duke përdorur një mikroskop elektronik, studiuesit panë për herë të parë procesin e montimit të virionëve; për më tepër, biologjia molekulare dhe studimet matematikore i lejuan ata të identifikonin seksionet e mundshme të ARN-së që do të vepronin si sinjale paketimi.

“Ky studim ndryshon qasjen tonë ndaj sëmundjeve virale”, shpjegon Peter Stockley, një nga autorët. “Nëse do të mund të ndalonim mekanizmin e formimit të virioneve, do të ndalonim infeksionin para se të ndodhte”.

Sipas studiuesve, të kuptuarit në detaje i procesit, i cili duket të jetë i njëjtë për një familje të tërë virusesh (enteroviruse), do të ndihmojë industrinë farmaceutike të zhvillojë barna antivirale që ndalojnë këto ndërveprime dhe parandalojnë shfaqjen e sëmundjeve./A2