.

Covid/ Shkencëtarët italianë në alarm, kërkojnë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme deri në…


Ekspertët e Komitetit Teknik Shkencor në Itali kanë kundërshtuar zbutjen e masave kufizuese nga qeveria. Ata ftojnë qeverinë italiane, lidhur me zbutjen e masave të reja, të cilat do të hyjnë në fuqi të premten më 16 janar, që ta rishikojë atë, për të ruajtur, por pse jo edhe për të shtrënguar masat e urgjencës edhe për gjashtë muaj të tjerë (Korrik). Në anën e shkencëtarëve janë edhe shifrat konkrete.

Rreth 14 mijë infeksione të reja në një ditë dhe një normë pozitiviteti që nuk ka rënë nën 10% për çdo ditë, por, mbi të gjitha, në vendin fqinj numërohen 616 viktima në 24 orët e fundit.

Që nga fillimi i urgjencës së pandemisë, virusi u ka marrë jetën gati 80 mijë njerëzve, çka përbën një masakër. Ekspertët, sipas rekomandimeve që i kanë nisur qeverisë, bazohen në katër elementë që sipas tyre, e bëjnë të nevojshme zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Para së gjithash, ndikimi “ende i rëndësishëm” që ka virusi në shtretërit e spitaleve për pacientë që ndodhen në kujdes intensiv.

Sipas të dhënave të fundit të monitorimit, 13 rajone dhe provinca autonome kanë tejkaluar pragun kritik.

Por jo vetëm kaq: ekziston një situatë ndërkombëtare “shqetësuese”, siç tregohet nga ajo që po ndodh në Britaninë e Madhe, e cila mund të përhapet shumë shpejt.

Edhe në Gjermani ekziston rreziku i mbivendosjes midis gripit sezonal dhe Covid i cili mund të shkaktojë mbingarkesë të shërbimeve shëndetësore. “Prandaj është e nevojshme të përballeni me pandeminë”, – është përfundimi i shkencëtarëve, – “me mjetet që garantojnë gjendjen e jashtëzakonshme, të paktën deri në fund të korrikut kur vaksina do të ketë arritur efektet e saj pozitive në popullatë”.

Dhe nga ky këndvështrim, indikacionet e dhëna nga shkencëtarët në fund të takimit të sotëm, pritet të shqyrtohen nga qeveria.

Italia i ndezi sot dritën jeshile Kampionatit Botëror të Skive në Cortina, por me dyer të mbyllura dhe me rekomandimin që atletët të qëndrojnë në qytet sa më pak të jetë e mundur për të shmangur grumbullimet.