.

Çfarë është Signal, aplikacioni me të cilin do ‘tradhtojmë’ Whatsapp-in?

Tradhtia në fak thuhet se ka nisur nga Whatsapp-i. Pasi këtë të fundit e bleu Facebook-u, në 2014-ën u tha se gjithmonë e më shumë Whatsapp ndan të dhëna me Facebook-un.

Deri tani Whatsapp është aplikacioni më i popullarizuar i mesazheve në botë me mbi dy miliardë përdorues. Javën e kaluar shumë përdorues morën një njoftim brenda aplikacionit ku thuhej se WhatsApp ka ndryshuar kushtet e shërbimit dhe politikën e privatësisë për të ndarë të dhëna të caktuara me Facebook. Jo të gjithë janë të kënaqur me idenë.

Elon Musk, njeriu më i pasur në botë, u tha 41.9 milionë ndjekësve të tij në Twitter që duhet të përdorin tashmë Signal në vend të Whatsapp.

Signal është një shërbim alternativ, plotësisht i koduar i mesazheve, që ka ekzistuar në forma të ndryshme që nga viti 2010. Në 2018-ën, ai u mor nga bashkëthemeluesi i WhatsApp Brian Acton (i cili u largua nga WhatsApp për mosmarrëveshjet me Facebook).

Signal ju lejon të dërgoni mesazhe, të bëni telefonata, të transferoni dokumente dhe të ndani vendndodhjen tuaj. As vetë Signal nuk mund të regjistrojë atë që thuhet e jo më t`i shesë diku tjetër informacionet e tua.

Ai është në dispozicion si në telefonat Android dhe iOS, ashtu edhe në desktop dhe është shumë i rekomanduar nga aktivistët e privatësisë dhe sigurisë (të tillë si Edward Snowden) për shkak të nivelit të sigurisë që ofron.

Ndryshe nga Facebook Messenger, për shembull, Signal nuk mbledh ndonjë informacion nga përdoruesit e tij që të mund ta përdorë për reklamim pastaj.

Signal është falas, por duhet të hyni me numrin tuaj të telefonit në mënyrë që ta përdorni. Ngjashëm me WhatsApp, përdoruesit duhet të futin një kod të dërguar në telefonat e tyre për të aktivizuar llogarinë. Pasi të aktivizohet, llogaria kërkon një kod PIN me 4 shifra për ta bërë atë edhe më të sigurt. Aplikacioni ka një numër karakteristikash unike të lidhura me sigurinë që tregojnë pse është bërë kaq popullor në të gjithë botën./Metro, Tiranapost