.

5 këshilla për të krijuar një biznes të suksesshëm me shoqen e ngushtë!

Shumë prej jush mund ta keni menduar fillimin e një sipërmarrjeje të re me shoqen e ngushtë. Ndonëse ideja tingëllon emocionuese, pas një biznesi fshihen qindra përgjegjësi dhe krijimi i një sipërmarrjeje me një njeri të afërt mund të jetë edhe më i ndërlikuar.

Sidoqoftë, nuk është e pamundur të krijoni një biznes të suksesshëm dhe të ruani marrëdhënien me njëra-tjetrën njëkohësisht.

Më poshtë, gjeni disa këshilla që duhet të keni parasysh:

1. Evidentoni pikat e forta të njëra-tjetrës: Ato do të bëhen pikat e forta të biznesit

Strategjia juaj e biznesit duhet të përqendrohet në të gjitha pikat tuaja të forta.

Zhytuni në detaje për të parë se si aftësitë tuaja përkthehen në biznesin tuaj të përbashkët. Bëni pyetje si: “A ka fusha të biznesit për të cilat njëra është më e apasionuar se tjetra?”, “Çfarë rolesh do të luajë secili në biznes?”, “A ka përgjegjësi që duhet t’i realizojmë bashkë dhe të tjera që duhet t’i ndajmë?”

2. Përdorni quiz-e të përputhshmërisë (compatibility quizzes), për të mësuar më shumë për njëra-tjetrën, para se të filloni një karrierë së bashku

Kjo do bëjë që ta kuptoni më mirë njëra-tjetrën dhe komunikimi do të jetë më i qartë, pa lënë hapësirë për keqkuptime. Nëpërmjet këtyre pyetjeve, ju mund të kuptoni edhe nëse ia vlen apo jo të filloni diçka bashkë në botën e biznesit.

Çdo mjet që ju ndihmon të kuptoni më mirë njëra-tjetrën, qoftë një vlerësim i personalitetit, lexim i astrologjisë apo diçka tjetër, do të jetë një aset për marrëdhënien tuaj dhe biznesin.

3. Interesohuni për njëra-tjetrën rregullisht dhe kuptoni kur është koha të jeni thjesht mikesha dhe jo vetëm “kolege”

Është e rëndësishme të mbani një kufi midis kohës kur jeni mikesha dhe kohës së punës, përndryshe rrezikoni të lejoni që marrëveshja e biznesit të kapërcejë miqësinë tuaj.

Programoni një kohë argëtimi, ku jeni thjesht ju pa biznesin dhe punët. Duke e ndarë kohën mirë, ju mund të keni hapësirë dhe mundësi për gjithçka.

4. Shkoni me rrjedhën, ndërsa biznesi juaj evoluon dhe gjërat ndryshojnë

Nuk mund të planifikojmë gjithçka në jetë dhe bizneset nuk bëjnë përjashtim. Sot, në botën e tregtisë, e-commerce dhe çdo lloj tjetër elementi të sipërmarrjes, gjithçka po zhvillohet dhe po ndryshon në mënyrë konstante, prandaj mos prisni që biznesi juaj të mos ketë të papritura.

Jini gati për të përballuar çdo gjë, duke menduar plane B, C, D etj dhe nuk mos u shqetësuar për ato që ju nuk keni në dorë.

5. Bisedoni me profesionistë, hulumtoni

Bëni kërkimet tuaja për tregun, komunikoni me profesionistë dhe sipërmarrës të tjerë dhe merrni sa më shumë informacion prej tyre. Njihuni me historitë e sipërmarrjeve të suksesshme. Mësoni nga gabimet e tyre dhe frymëzohuni nga suksesi i tyre. Kërkoni këshilla nga njerëz që dinë më shumë se ju në këtë fushë.

Burimi: Well & Good, Anabel