.

Ekspertët thonë se bota po shkon hapa para drejt përfundimit të pandemisë

Deri para një viti, nuk ekzistonte asnjë vaksinë kundër një koronavirusit, ndërsa së fundmi janë tre në zhvillim të cilat presin miratimin për t’u përdorur gjerësisht, përkatësisht vaksina e Pfizer/BioNTech, vaksina e Moderna-s dhe ajo e Universitetit të Oksfordit/AstraZeneca. Bota po shkon hapa para drejt përfundimit të pandemisë së koronavirusit, deklaruan shkencëtarët pas vaksinës së Oksfordit.

Rezultatet e fundit për këtë vaksinë sugjerojnë se mund të jetë deri në 90% efektive dhe janë disa nga gjetjet më premtuese në kaq pak javë.

“Vaksina na çon një hap më para drejt kohës kur mund të përdorim vaksinat për t’i dhënë fund shkatërrimit të shkaktuar nga [Covid-19]”, tha për Guardian Prof. Sarah Gilbert nga Universiteti i Oksfordit e cila ka udhëhequr studimin. “Ne do të vazhdojmë të punojmë për të siguruar informacionin e hollësishëm për rregullatorët. Ka qenë një privilegj të jem pjesë e kësaj përpjekje shumëkombëshe, e cila do të sjellë përfitime për të gjithë botën.”

Ekspertët janë entuziastë për vaksinën, e cila ka qenë prej kohësh një nga shpresat më të mëdha për zbutjen e pandemisë në të gjithë botën. Oxford / AstraZeneca janë bashkuar me Covax, programin e drejtuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për shpërndarjen e vaksinave në të gjitha vendet dhe ka bërë marrëveshje me prodhuesit në vendet e tjera.

Përsa i përket vendit tonë, duket se edhe Shqipëria do të ketë qasje ndaj kësaj vaksine (e cila ka disa përparësi nga vaksinat e tjera).

Në një takim të organizuar me ekspertë të komitetit të imunizimit në Institutin e Shëndetit Publik, në fund të shtatorit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se Shqipëria do të ketë të drejtën të zgjedhë vaksinën më të sigurt, duke u angazhuar financiarisht në një mekanizëm ndërkombëtar, ashtu si mbi 80 shtete të tjera në të gjithë botën, përfshirë edhe vendet e Bashkimit Europian.

“Bazuar në rekomandimet tuaja të vlefshme, Këshilli Ministrave ka miratuar nënshkrimin e marrëveshjes së angazhimit me aleancën Gavi, për sigurimin e vaksinës së sigurt kundër Covid-19, nëpërmjet mekanizmit Covax, ku aderojnë 80 shtete, mes të cilave edhe vendet e Bashkimit Europian”, tha Manastirliu./Anabel