.

Lista e bizneseve që përfitojnë nga ndihma financiare që do jepet nëntor-dhjetor (Kush aplikon dhe si)

Hyn në fuqi vendimi dhe publikohet lista e bizneseve prodhuese që do të marrin ndihmë financiare nga qeveria, për të mbuluar shpenzimet e atyre zbatojnë protokollet e sigurisë të pandemisë.

Ndihma financiare për ndërmarrjet prodhuese mbulon periudhën nëntor–dhjetor 2020 dhe përfitohet vetëm një herë si shumë e vetme. Këto biznese përfitojnë si ndihmë financiare një shumë fikse, në masën 4,000 lekë për çdo punonjës, e llogaritur për dymujorin nëntor–dhjetor, respektivisht 2,000 lekë për çdo muaj.

Kush e përfiton

Skema mbështetëse do të llogaritet të jepet për ndërmarrjet, të punësuarit e të cilave figurojnë në listëpagesat e përditësuara të tatimpaguesit, për muajin qershor 2020, të dorëzuara përpara datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Në rastet kur i punësuari është në më tepër se një listëpagesë dhe kontributet paguhen nga të dyja ndërmarrjet, ndihmën financiare e merr ndërmarrja, e cila aplikon e para. Ndërmarrja që nuk aplikon e para, nuk e përfiton ndihmën financiare vetëm për të punësuarin që është në më tepër se në një listëpagesë. Nuk konsiderohen të punësuar individët e deklaruar pa pagesë listëpagese.

Nuk përfitojnë nga ndihma financiare ndërmarrjet, të cilat nuk rezultojnë aktive në datën e hyrjes në fuqi të vendimit e që nuk kanë dorëzuar deklaratë vjetore për vitin 2019 (tatim i fitimit ose tatim i thjeshtuar mbi fitimin).

Si aplikohet

Aplikimi për përfitimin e ndihmës financiare kryhet nga ana e ndërmarrjeve në sistemim e-filling, duke deklaruar: a) NIPT-in e përfituesit; b) numrin total të punonjësve për të cilët përfiton subjekti; c) bankën, ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare; ç) IBAN-in e llogarisë bankare./Monitor

Bizneset