.

Inflacioni arrin në 2% – Perimet shtrenjtohen me 18.5% në një vit, frutat me 11.5%

Nga ‘SCAN INTELLIGENCE UNIT’

Inflacioni është ngjitur në 2% gjatë tetorit tregojnë të dhënat më të fundit të institutit të statistikave, nga 1.5% që ishte në muajin shtator të këtij viti, dhe nga 1.3% që ishte në tetorin e një viti më parë. Të dhënat sinjalizojnë kështu një rritje të mëtejshme të çmimeve të konsumit në vendin tonë, në një kohë që ekonomia është në recesion. Kategoria e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike vijon të jetë “lokomotiva” e rritjes së çmimeve, duke ndikuar me 1.81 pikë përqindje në normën e inflacionit, e ndjekur nga grupi “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji me 0.32 pikë përqindje. Vetëm grupi i veshjeve dhe këpucëve, shëndeti si dhe argëtimi me kulturën kanë dhënë një efekt negative në rritjen e çmimeve.

Po të shohim të dhënat e detajuara të institutit të statistikave për rritjen e çmimeve të secilës kategori ndërkohë, vëmë re se, krahasuar me një vit më parë, çmimet e ushqimeve janë rritur me 5.2%. Rritje drastike të çmimeve, krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, kanë pësuar kategoritë e zarzavateve me 18.5% si dhe frutat me 11.5%. madje në kategorinë e zarzavateve rritja është e ndjeshme edhe krahasuar vetëm me shtatorin, pasi janë shtrenjtuar në masën 5.8% në vetëm një muaj. Zërat e tjera ndërkohë kanë luhatje ndjeshëm më të vogël, si në terma mujorë, ashtu edhe në terma vjetorë, tregojnë të dhënat zyrtare. Rënien më të madhe të çmimeve krahasuar me një vit më parë e regjistron transporti, me -4.3%.