.

Eksperti italian bën thirrje: Izolim total që të mos e pësojmë si në mars

Urgjenca e koronavirusit? Ish-kreu i mbrojtjes civile në Itali, Guido Bertolaso, është shprehur se e shikon situatën shumë të vështirë. Sipas tij, fatkeqësisht vendi do të jetë si në fund të muajit mars, në mes të nëntorit.

“Unë mendoj se do të ishte më mirë që për një muaj të ndalonim çdo gjë në vend, menjëherë. Ende kemi kohë që mos të shkojmë në shifrat e muajit mars”, tha ai në një intervistë për “Corriere della Sera”.

Sipas ekspertit italian, me një ndalesë të përgjithshme, nga njëra anë mund të ndalohet përhapja e shpejtë e Covid-19 si dhe i lejon sistemit që të riorganizohet. “Le të rivendosim Italinë, pa pritur për të parë nëse masat e reja kanë qenë efektive”, ka shtuar ai.

Bertolaso është shprehur se ndryshimi i vetëm duke e krahasuar situatën me marsin, është se “në atë kohë epidemia kishte të bënte me Lombardinë dhe Veneton, ndërsa tani ajo përfshin të gjithë Italinë” dhe “virusi është përhapur kudo”.

Nga të dhënat, sipas Bertolasos, “është e qartë se në mes të muajit të ardhshëm kurba e infeksioneve, shtrimeve në spital dhe vdekjeve do të ketë një rritje të paqëndrueshme nëse masat drastike nuk merren menjëherë”./tch