.

“Ende larg përmbushjes së kushteve për BE, reforma zgjedhore u prish nga PS”, zbardhet biseda e Metës me ambasadoren e re franceze

Presidenti Ilir Meta ka pranuar Letrën Kredenciale të Ambasadores së re të Francës në Shqipëri, Elisabeth Barsacq.
Përmes një mesazhi në faqen zyrtare të ‘Facebook’, kreu i shtetit ka vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira tradicionale dhe politike me Francën, ndërsa shprehu falënderim për ndihëm e dhënë për integrimin e Shqipërisë drejt BE-së.
“Shqipëria është ende shumë larg përmbushjes së kushteve që kërkohen për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, pasi kushti i parë kyç, reforma zgjedhore konsensuale, që do duhet t’i paraprijë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, u prish në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca me ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor.”, shkruan Meta.

MESAZHI I METES
Pranova me shumë kënaqësi Letrat Kredenciale të Ambasadores së re të Francës në Shqipëri, Sh.S.Znj. Elisabeth Barsacq.
Vlerësova marrëdhëniet shumë të mira tradicionale dhe politike me Francën dhe e falënderova për mbështetjen e pakursyer e të sinqertë të dhënë në avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.
Theksova se vendimi politik i Këshillit Europian i marsit për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një mundësi historike për përparimin drejt Bashkimit Europian.
Vura në dukje se, fatkeqësisht, Shqipëria është ende shumë larg përmbushjes së kushteve që kërkohen për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, pasi kushti i parë kyç, reforma zgjedhore konsensuale, që do duhet t’i paraprijë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, u prish në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca me ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor.
Inkurajova rritjen e investimeve franceze në Shqipëri dhe, në këtë kuadër, shpreha besimin se hyrja në fuqi e Marrëveshjes me Agjencinë Franceze të Zhvillimit (AFD), do t’i japë një shtysë të rëndësishme projekteve zhvillimore në vendin tonë. ?????