.

Lajm i mirë për shoferët e automjeve, ja çfarë përfshin Leja e re e Qarkullimit

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka njoftuar se brenda 6-mujorit të parë të vitit 2021, do të aplikohet formati i ri i Lejes së Qarkullimit për mjetet rrugore për të gjitha veprimet e reja me mjetin, ku qytetarët do përfitojnë në cilësi, siguri dhe besueshmëri të produktit si edhe kosto të reduktuara ndjeshëm të shërbimeve, të shpjeguara në mënyrë më të detajuar më poshtë:

Aktualisht, qytetarët paguajnë 3,500 lekë së bashku për Lejen e Qarkullimit, Certifikatën e Pronësisë dhe Lejen Ndërkombëtare të Mjetit. DPSHTRR po përgatit procedurën teknike për lëshimin dhe personalizimin e dokumentit të ri unik që do të kushtojë 2,100 lekë, pra kosto e reduktuar e shërbimit 40%!

· Leja e re nuk do ketë vula kolaudimi, për rrjedhojë nuk do bëhet e pavlefshme nga mungesa e vendit për vula si leja aktuale!

· Leja e re nuk ka afat vlefshmërie! (Leja aktuale për shkak të vulave të kolaudimit duhet të rinovohej, për kategori të caktuara mjetesh, çdo 5 ose çdo 10 vjet)

· Leja e re, falë cilësisë, sigurisë dhe përputhshmërisë me Direktivën 1999/37/EC e 29 Prillit 1999 (e përditësuar, 2014), eliminon nevojën për Lejen Ndërkombëtare të Mjetit! Qytetari që udhëton jashtë vendit lehtësohet nga kosto dhe kursen kohë, sepse sot i duhet që çdo 3 vjet të kërkojë e paguajë leje ndërkombëtare!

· Leja e re përfshin të dhëna shtesë qiradhënësi mjeti dhe përdoruesi mjeti dhe do gjenerohet përmes sistemit të ri elektronik, platformës së re eDPSHTRR!

· Leja e re unifikon të dhënat dhe eliminon Certifikatën e Pronësisë së Mjetit! (Hiqet një dokument, fitohet kohë).

· Leja e re nuk dëmtohet nga lagështia ose palosjet, nuk griset si leja aktuale!

· Leja e re përmban elementet e sigurisë të detyrueshme nga Direktiva si: watermark – ose logo identifikuese në brumin e letrës speciale që dallohet vetëm nëse shikohet përmes dritës; fluorescent fibres – ose fije fluoreshente që dallohen vetëm me rreze ultraviolet; fluorescent imprints – ose logo identifikuese e dallueshme vetëm me rreze ultraviolet; hologramë – ose stampë e shndritshme e integruar në materialin e letrës nga prodhuesi me dizajn të personalizuar!

· Leja e re do ketë edhe elemente të tjera sigurie shtesë si QR code i personalizuar drejtpërdrejt nga sistemi i ri eDPSHTRR, mikrotekst, vizatim ose grafika që ndryshojnë ngjyrën në këndvështrime të ndryshme të dritës, etj!

· Cilësia dhe vetitë e letrës së lejes së re do të jenë speciale, e njëjtë me dokumentet e qarkullimit të mjeteve gjermane! Zvogëlohet në maksimum mundësia e manipulimit të të dhënave, për pasojë garantohet besueshmëria në qarkullim dhe për çdo verifikim nga autoritetet e kontrollit brenda/jashtë vendit (ndryshe nga leja aktuale).

· Leja e re do jetë më e vogël, me tri pjesë, më praktike e rezistente, si edhe me çdo të dhënë të mjetit, të kodifikuar!

Leja e re e qarkullimit nuk është e detyrueshme për qytetarët që kanë lejen aktuale të mjetit. Leja e re jo vetëm rrit standardet, por edhe u kursen kohë e para qytetarëve. Ky operacion (bazuar në numrin e pritshëm të shërbimeve) do t’u kursejë qytetarëve rreth 1,35 milionë Euro për vitin 2021.

Investimi do të realizohet tërësisht nga DPSHTR dhe sapo të jetë e disponueshme për qytetarët do njoftohet publikisht në faqen zyrtare www.dpshtrr.gov.al