.

Pandemia, Conte: Propozoj zgjatjen e gjendjes së emergjencës deri në fund të janarit

Kryeministri i Italisë është shprehur se është dakord që parlamenti i vendit ta zgjasë gjendjen e emergjencës, si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Gjendja e emergjencës, e cila pritej që të mbaronte në mes të tetorit, i jep akoma më shumë pushtet qeverisë qendrore, si dhe mundësinë për të tejkaluar burokracitë në raste vendimmarrjeje.

Të enjten kreu i ekzekutivit Giuseppe Conte, tha se do të flasë me parlamentin për ta zgjatur.

“Ne do t’i propozojmë parlamentit që të zgjatet gjendja e emergjencës, ndoshta deri në fund të janarit të 2021,” tha Conte gjatë një vizite në Caserta, jugu i Italisë.

Italia, vendi i parë Evropian që u godit rëndë nga koronavirusi gjatë pranverës, arriti që të vinte në kontroll situatën pas vendosjes së një karantinë strikte mes marsit dhe majit.

Megjithatë, vendi ka bilancin më të lartë të viktimave në Evropën kontinentale, me 35,894 fatalitete të konfirmuara.