.

Kaosi me vaksinat për Covid-19/ Nga siguria e shpërndarjes tek efektiviteti, ja sfidat e mëdha që kanë përpara dy firmat kandidate

Ditën kur do të aprovohet një vaksinë ndaj Covid-19, do të duhet të vihet në punë një operacion i gjerë logjistik. Miliona doza duhet të përshkojnë qindra dhe mijëra km nga prodhuesit tek spitale, zyrat e mjekëve dhe farmacitë, të cilat nga ana tjetër duhet t’i ruajnë, të gjurmojnë dhe përfundimisht të vaksinojnë njerëzit në të gjitha vendet.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, bashkë me departamentet shëndetësore shtetërore dhe lokale, janë ato që e koordinojnë këtë proces në SHBA. Këto agjenci shpërndanë vaksinat e gripit gjatë pandemisë së gripit H1N1 në vitin 2009, dhe ato administrojnë çdo ditë vaksinat e fëmijëve.

Por vaksina kundër Covid-19 do të jetë një sfidë krejtësisht e re. “Situata e Covid është dukshëm e ndryshme dhe më komplekse se gjithçka me të cilën jemi përballur në të kaluarën”- thotë Kris Eresman, drejtor i sëmundjeve infektive në Departamentin e Shëndetësisë në Minesota.

Dy vaksinat kandidate kryesore në SHBA – njëra e zhvilluar nga “Moderna”, dhe tjetra fryt i një bashkëpunimi midis amerikanes “Pfizer” dhe gjermanes “BioNTech” – kanë përparuar kaq shpejt në provat e tyre klinike, pikërisht pasi ato janë më të shpejtat për t’u zhvilluar dhe prodhuar.

Ato mbështeten në një teknologji të re të vaksinave, përparësia e së cilës është shpejtësia, por dobësia e së cilës është brishtësia fizike ekstreme. Këto vaksina duhet të ngrihen – në rastin e Pfizer/BioNTech, në një temperaturë shumë të ulët, minus 70 Gradë Celcius, më ftohtë se shumica e ngrirjeve, gjë që do të kufizojë mënyrën dhe vendin ku mund të transportohen. Mënyrat e ndërtimit të këtyre vaksinave (pa konservantë të shtuar) dhe paketimi (në shishka që mbajnë doza për shumë njerëz), i bëjnë gjithashtu ato më të lehta për t’u zhvilluar dhe prodhuar shpejt, por më të vështira për t’u administruar në terren.

Pra, shpejtësia po vjen në kurriz të komoditetit. “Për këtë gjeneratë të parë të vaksinave, ne nuk do të tregtojmë sigurinë. Ne nuk duam ta shkëmbejmë atë me efektivitetin”- thotë Keli Mur, drejtoresha e asociuar në Koalicionin e Veprimit të Imunizimit.

Pra, në vend të kësaj, SHBA-ja po planifikon një vaksinë që kërkon një logjistikë shumë të komplikuar. Departamentet e shëndetit publik në shtete, territore dhe qytete të mëdha janë duke hartuar plane për të nisur vaksinimet në fund të tetorit.

Mbetet ende e paqartë nëse këto vaksina janë të sigurta dhe efektive, dhe është shumë e vështirë që të dhënat të jenë në dispozicion deri në fund të tetorit. Por departamentet po bëhen gati. Dy vaksinat kandidate kryesore po përdorin një teknologji të re, të premtuar prej kohësh.

Bërthama e tyre është një copë e mARN-së, material gjenetik që kodifikon në këtë rast proteinën në formë spice – pjesën e koronavirusit që e ndihmon atë të hyjë në qelizat njerëzore. Vaksina i nxit qelizat ta marrin ARNi dhe t`a shndërrojnë në një proteinë në forme spice, me shpresë se kjo do të stimulojë një reagim imunitar.

Duke përdorur mARN-në, prodhuesit e vaksinave nuk kanë nevojë të prodhojnë proteina virale apo të rrisin viruse, metoda këto që përdoren për vaksinat më tradicionale, dhe që e zgjasin kohën e procesit të prodhimit. Kjo është arsyeja pse “Moderna” dhe “Pfizer/BioNTech”, kanë qenë në gjendje t’i fusin kaq shpejt vaksinat e tyre në provat klinike.

“Moderna” kaloi nga sekuencimi gjenetik i koronavirusit tek vaksinimi i parë eksperimental me një rekord prej 63 ditësh. Për të marrë një fije të zhveshur të ARN-së brenda një qelize, shkencëtarët kanë arritur ta mbështjellin atë në një paketë të quajtur një nanopjesë lipidike. ARNi është në vetvete një molekulë e paqëndrueshme. Por janë nanopjesëzat lipide ato që janë më të ndjeshme ndaj nxehtësisë. Nëse vaksina ftohet shumë, “ekziston një temperaturë në të cilën lipidet dhe struktura lipidike pushojnë së lëvizuri, në thelb” thotë Drju Ueisman, që studion vaksinat e mARN në Universitetin e Pensilvanisë, dhe laboratori i të cilit bashkëpunon me BioNTech.

Nëse vaksina mbahet në një temperaturë shumë të lartë për shumë kohë, këto nanopjesëza lipidesh thjesht do të degradojnë. Ndaj vaksinat e “Moderna” dhe “Pfizer/BioNTech” duhet të transportohen të ngrira përkatësisht në –20 gradë dhe –70 gradë Celcius. Pasi të shkrihet, vaksina e “Moderna” mund të rezistojë për 14 ditë në temperaturën normale të frigoriferit; ndërsa ajo e “Pfizer” për 5 ditë.

Temperatura e ngrirjes që kërkohet nga vaksina e “Moderna”-s e bën të vështirë transportin. Nërkohë temperatura ultra e ftohtë e kërkuar nga vaksina e “Pfizer” dhe “BioNTech” është gati e pamundur të ruhet jashtë një spitali të madh apo një qendre akademike që zotëron pajisje me ngrirje të specializuar.

Për këtë arsye, “Pfizer” ka ideuar “transportuesit termik” të pahapur që mund t’i mbajnë vaksinat e ngrira deri në 10 ditë. Pasi të hapen për herë të parë, ato duhet të mbushen me akull të thatë brenda 24 orëve, pastaj çdo 5 ditë.

Këta transportues supozohet të hapen jo më shumë se 2 herë në ditë për të nxjerrë shishka, dhe duhet të mbyllen brenda një minute. Sidoqoftë, thelbi është se këta transportues bartin minimumi 975 doza të vaksinës COVID-19. Një spital i madh në një qytet mund ta administrojë atë vëllim, por në zonat rurale, dërgesa me 975 doza do të duhet të ndahet në pjesë më të vogla, në çdo rast duke u siguruar që shishet të qëndrojnë tepër të ftohta.

Shkencëtarët janë duke u përpjekur për të krijuar nanopjesëza më të qëndrueshme lipidike dhe “Pfizer” thotë se po punon për një version të vaksinës së tij që mund të ruhet në ngrirje normale. Këto përmirësime janë një pjesë normale e procesit të zhvillimit të vaksinave, por ato kërkojnë kohë.

Edhe mënyra se si paketohen vaksinat e mARN-së, imponon gjithashtu disa sfida logjistike. Aktualisht, ato janë në shishka me shumë doza që duhet të përdoren ose hidhen brenda 6 orësh nga hapja. Vaksina e Moderna-s vjen në shishka me 10 doza; Pfizer dhe BioNTech, në shishka me 5 doza.

Dozat e papërdorura mund të degradojnë me kalimin e kohës në temperatura të larta, dhe më e rrezikshmja, ato mund të ndoten me baktere, pasi vaksinave u mungojnë konservantët. Si shishka me shumë doza ashtu edhe mungesa e konservuesve ndihmojnë në nxjerrjen më shpejt të një vaksine.

Por ekspertët janë të shqetësuar pasi kjo po rrit kompleksitetin, gjë që mund të ngadalësojë vaksinimet. Së fundmi, të dy vaksinat e “Moderna” dhe “Pfizer/BioNTech” kërkojnë dy doza për person me kalimin e kohës, dhe doza e dytë duhet të vijë nga i njëjti prodhues si doza e parë.

Vaksina duhet të ripërsëritet pas 28 ditësh për ”Moderna”-n, dhe pas 21 ditësh për “Pfizer/ BioNTech” pas dozës së parë. Pra në të dyja rastet më gjatë sesa koha që mund të ruhen vaksinat në frigorifer. Kjo do të thotë se pasja e numrit të duhur të vaksinave në raport me njerëzit që do të vaksinohen do të kërkojë një mbajtje të kujdesshme të të dhënave.

Nevoja e marrjes së dozave nga këto vaksina, has ndërkohë edhe një sfidë që ka të bëjë me natyrën njerëzore: Njerëzit harrojnë. Ata nuk mund të shkëputen dot nga puna. Nuk mund të gjejnë dot një bebisiter për fëmijën e tyre. Ose nuk mund të lëvizin dot nga shtëpia. “Kjo është një sjellje njerëzore normale jashtë kontekstit të Covid”- thotë Azra Behlim, drejtore në kompaninë e shërbimeve të kujdesit shëndetësor “Vizient”.

Për këtë arsye, CDC po planifikon të dërgojë kartela fizike të regjistrimit të vaksinimit për secilin pacient, bashkë me furnizimet e vaksinave kur shtetet të porosisin dozat e tyre.

Një shqetësim tjetër për spitalet:nevoja për t’u orientuan midis vaksina të shumta, sidomos ato që bëhen më të disponueshme në të ardhmen. “Shqetësimi është:Unë vaksinohem në nëntor, dhe më pas një tjetër vaksinë del në janar, pastaj një tjetër në mars, dhe tre prodhues të tjerë në maj”- thotë Behlim.

Një vaksinë mund të jetë më efektive, por një tjetër më e lehtë për t’u ruajtur. Një e tretë mund të jetë më efektive tek njerëzit e moshuar, ndërsa një e katërt mund të ketë avantazhin se kërkon një dozë të vetme.

Sa më shumë vaksina të ketë në treg, aq më i vështirë bëhet menaxhimi i vaksinave. Gjithsesi, lajmi i mirë është se vaksinat kryesore kandidate po lëvizin shpejt edhe në drejtim të logjistikës së shpërndarjes. / The Atlantic – Bota.al