.

Kryesia shqiptare e OSBE takim për konfliktin Azerbajxhan -Armeni: Të ndalen menjëherë luftimet

Kryesia shqiptare e OSBE-së ka zhvilluar një takim në lidhje me konfliktin mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, pasi dy vendet filluan përplasjen ushtarake të dielën. Takimi u ndoq nga përfaqësuesit e 57 Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së, pasditen e djeshme.

Takimi u drejtua nga ambasadori Igli Hasani, i cili përsëriti alarmin dhe qëndrimin e kryesisë për përplasjet e vazhdueshme dhe përkeqësimin e situatës në terren.

“I zhgënjyer nga rritja e numrit të viktimave, ai përsëriti thirrjen e Kryesisë së OSBE-së për një ndalim të menjëhershëm të konfliktit, ndërsa u shprehu ngushëllimet familjeve dhe të dashurve të të vrarëve dhe të plagosurve.”, thuhet në njoftimin e OSBE-së.

Më tej në deklaratë bëhet me dije se, përfaqësuesit e vendeve të bashkëkryesuesve të Grupit Minsk, Franca, Federata Ruse dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsëritën thirrjen e Bashkë-Kryetarëve për të gjitha palët që të ndërpresin menjëherë luftimet dhe të rifillojnë negociatat për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit.