.

Vret koronavirusin, firma japoneze pretendon se ka shpikur llambën me rreze ultravjollce

Prodhuesi kryesor i llambave Ushio Inc. pretendon se ka shpikur një llambë me rreze ultravjollcw që mund të vrasë koronavirusin pa dëmtuar shëndetin e njeriut.

Llamba UV Care 222, e para e këtij lloji në botë është krijuar nga bashkëpunimi i Ushios dhe Universitetit Columbia.

Ajo pritet të përdoret për dezinfektim në hapësira ku njerëzit vazhdojnë të hyjnë dhe të dalin dhe rreziku i kontraktimit të virusit vdekjeprurës është i lartë, të tilla si në autobusë, trena, ashensorë dhe në zyra, tha kompania.

Llamba e re e Ushio lëshon rrezet UV me një gjatësi vale 222 nanometra, në krahasim me gjatësinë e valës konvencionale 254-nanometër, duke i bërë ato vdekjeprurëse për mikrobet, por beninje për njerëzit, shkruan Japan Times.

Kur vendoset në tavan, brenda gjashtë deri në shtatë minuta Care 222 “çaktivizon” 99 për qind të viruseve dhe baktereve në ajër dhe deri në një zonë prej 3 metrash katrorë në sipërfaqen e objekteve rreth 2.5 metra larg llambës.

Gjithashtu, kompania u shpreh se pranon porosi nga institucionet mjekësore për momentin por do t’u shërbejë klientëve të tjerë sapo prodhimi të rritet në përputhje me kërkesat.