.

257 km me vrap nga Prishtina në Tiranë, Fikreti tregon sfidat nga humbja e ndjenjave tek lotët e gëzimit

Fikret Shatri tregon sfidat e vrapit të shqipes nga humbja e ndjenjave e deri tek lotët e gëzimit

Fikret Shatri ka rrëfyer sot në “Ftesë në 5” eksperiencën e jashtëzakonshme të bërit me vrap kilometra të shumta për të mbërritur nga Prishtina në Tiranë.
Ai tregon se ngeli pa ndjenja dy herë gjatë vrapit 257 km për 45 orë nga Sheshi Skënderbej në kryeqytetin e Kosovës, deri në Sheshin Skënderbej në kryeqytetin shqiptar.
Megjithatë nuk ndaloi për asnjë moment për të realizuar “vrapin e shqipes” edhe pse kishte diarre dhe doktori e kishte këshilluar të mos e vazhdonte vrapin.
“Kemi bërë shumë herë rrugëtime të tilla nga Kosova në Shqipëri, por jo me vrap, një vrap homazh për vlerat e popullit tonë, forcën tonë. Qëllim tjetër është për t’i dhënë një lloj mesazhi të rinjve e të rejave tonë për të mbrojtur identitetin tonë. Kemi vlera të jashtëzakonshme dhe për këtë duhet t’i demostrojmë.
Tri ditë e fundit para se të nisesha nuk kam qenë i qetë, se është një iniciativë që nuk e kasha bërë kurrë më parë. Kur prek shtigje të cilat nuk i ke prekur kurrë më parë është vështirësi e madhe psikologjike. Në atë kohë lindi djali im, por i kam hyrë në hak gruas se duhet të isha aty.
Për shkak të mos pushimit të mjaftueshëm, kam humbur dy herë vetëdijen, një herë në Milot, jam shtrirë në asfalt. Kisha dhe diare, dhe kisha udhëzim nga mjeku për të ndërprerë vrapin, se mund të më sillte atak kardiak. Por i thashë vetes që duhet të mbërrij dhe do e realizoj. Më dha forcë dhe ekipi im, për të mos u dorëzuar” rrëfeu ai.