.

Ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, Meta letër KED-së

Presidenti Ilir Meta i ka nisur një letër KED-së në lidhje me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë.
Meta ka evidentuar problematikat, anomalitë dhe vonesat e pajustifikuara, duke kërkuar njëkohësisht zbatimin e Kushtetutës dhe të Ligjit, si dhe marrjen e masave emergjente për bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.
Në këtë letër thuhet se: “Kanë kaluar 4 muaj nga ky qëndrim dhe KLGJ-ja në mënyrë të pashpjegueshme dhe të pamotivuar ligjërisht ende nuk ka mundur të përmbyllë shqyrtimin e vetëm një kandidature të ngelur në garë për këtë vend vakant. Kjo situatë është e papranueshme për Presidentin e Republikës!”.
Më tej, Presidenti thekson: “Këshilli i Lartë Gjyqësor në mënyrë të pashpjegueshme dhe të pamotivuar ligjërisht nuk ka kryer shpalljen njëkohësisht të të gjitha vakancave përballë nevojës imediate të funksionimit të plotë të Gjykatës së Lartë, dhe po në mënyrë të pashpjegueshme nuk duket se është angazhuar me të gjitha burimet për shqyrtimin me përparësi të kandidaturave për këto vende vakante të shpallura për aplikim”.