.

Test me tampon dhe maska e detyruar, UEFA kthen tifozët për Superkupën e Europës

Disa shtete kanë kthyer tifozët në stadiume, ndërsa për herë të parë që pas shpërthimit të pandemisë së Covid-19, ata do të jenë të pranishëm edhe në një ndeshje ndërkombëtare të organizuar nga UEFA. Qeveria europiane e futbollit ka nxjerrë në shitje biletat për finalen e Superkupës mes Bayern Munich fitues të Champions League dhe Sevilla, kampione në Europa League.
Sfida do të luhet më 24 shtator në Budapest, teksa janë detajuar edhe rregullat që duhet të ndjekin tifozët, pavarësisht se për momentin Hungaria i ka mbyllur kufijtë e saj si pjesë e masave anti-Covid. Në stadiumin “Puskas Arena” të kryeqytetit hungerez do të jenë rreth 20 mijë persona, rreth 1/3 e kapacitetit të plotë prej 67 mijë vendesh të impiantit. UEFA parashikon se tifozët jo rezidentë në Hungari do të jenë të detyruar t’i nënshtrohen një testi mjekësor në vend si dhe duhet të paraqesin testin me tampon të kryer brenda 72 orësh. Po ashtu, në tribuna të gjithë personat e pranishëm në finalen e Superkupës së Europës do të jenë të detyruar të mbajnë maska.
(balkanweb)