.

Mesazhi i shkrimtares Vera Bekteshi:Asnjë s’ka të drejtë të mohojë ekzistencën e virusit…

Nga Vera Bekteshi

Katër apo pesë vite të shkuara pata qenë shtruar në pavijonin infektiv të spitalit Nënë Tereza, me një erizipelë shumë të avancuar, që më përsëritej shpesh, një gjë e trashëguar nga puna ime në bujqësi. Pas një jave shërbimi shumë të mirë, dola me plagën në shërim e sipër dhe me humor të ngritur, me shpresën se edhe në se do më përsëritej mesiguri nuk do të ishte kaq e rëndë.

Aso kohe në pavijon nuk kishte ndonjë epidemi stine, e vetmja e keqe ishte vapa e madhe, por unë e kalova gëzueshëm në kompaninë e profesor Krajës (shef i shërbimit në ato vite), Prof. Najadës dhe Prof. Kalos. Askush nuk e mendonte se do vinte një ditë që bota do të përballej me një pandemi të tillë, me përmasa jo vetëm botërore por dhe me pasoja të mëdha në të gjithë sektorët jetësorë, një ngjarje e pa jetuar në kohët moderne.

Pas disa ditësh, e keni parasysh, më erdhi një sms nga Ministria e Shëndetësisë në formë të një pyetësori për përshtypjet nga shtrimi në spital.

U përgjigja me mirënjohje për gjithë stafin e pavijonit, megjithëse e bindur se përgjigja e asaj sms-je do të shkonte në efir. Për mua pati rëndësi që u shërova dhe njoha nga afër atë shërbim, ata doktorë.

Pandemia që ka gjunjëzuar planetin mbarë, angazhoi që në fund të shkurtit pikërisht personelin e pavijonit infektiv të spitalit të sipër përmendur. Kohë e gjatë për ta dhe ne, apo jo? Është e tepërt të themi se çfarë përgjegjësie, çfarë tejlodhje, çfarë përpjekje të jashtëzakonshme i ka rënë për pjesë këtij personeli gjatë gjithë këtyre muajve dhe kush e di sa të tjerëve që do vijnë.

Dhe të gjithë e dimë se nuk kemi vetëm mungesë infrastrukturash spitalore, aparaturash, pajisjesh, medikamentesh, etj., etj., problemi më i madh ndoshta është mungesa e mjekëve dhe personelit tjetër të specializuar në këtë fushë.

​Për të folur për këta mjekë, nuk ka nevojë për episode ‘te rralla’, të jashtëzakonshme, sepse është përditshmëria me peshën e saj të rëndë, me presionin psikologjik, me ekonominë e dobët, me limitet fizike, me motin shumë të nxehtë të këtij viti, përditshmëri që fillon me veshjen e kostumit të punës, ‘tip skafandër’, dhe që nuk hiqet pa u mbushur orari prej gjashtë apo tetë orë, kur ai del jashtë përdorimit, dhe kur mbajtësi i tij, mjek, infermier apo sanitar, çlirohet nga ai sistem i mbyllur për të pirë një gotë ujë, për të shkuar në banjë, apo për të marrë një kafe, nëse mundet. Dhe e gjitha kjo në prani të një numri të vogël mjekësh apo infermierësh, veçanërisht për ata të fazës terminale, reanimatorëve. Me tmerr dëgjojmë kur personi X është intubuar. Ka fare pak shpresë që ai të kthehet sërish midis nesh, apo jo?

Kjo po, pra kjo pandemi është e jashtëzakonshme, e pa hasur më parë jo vetëm këtu po në gjithë botën mbarë.

​ Ata mjekë dhe infermierë që kanë lënë vendin dhe e lënë në vazhdimësi, kanë gjithë të drejtën për një karrierë dhe jetë më të mirë, por të mos harrojmë se ata që mbeten mbajnë dy apo tre fish-in e peshës, të mos harrojmë se ky personel që sheh me tmerr pacientin të ndryshojë papritmas ‘kurs’, sepse koagulat e kanë invaduar dhe nuk ka me shpëtim, sërish nuk stepet për të vazhduar punën të nesërmen, të pasnesërmen, e kështu me radhë…

A nuk do të ishte më e drejtë, që kjo kategori punonjësish, që rrezikon përditë dhe që është e pazëvendësueshme për të gjithë ne, të trajtohet në mënyrë të veçantë, në mënyrë të veçantë në gjithë komponentët jetësorë, në radhë të parë në sigurinë e jetës së tyre, sepse në fund të fundit jeta është më e rëndësishmja?

Ja çfarë më shkruan një mjeke, që punon në frontin e parë kur e pyes se si e përballoni:

Punë , vrap, djersë, gëzim, Lot,
Punë, Trishtim, Punë,
Një kafe të shpejtë, vetëm një fjali:
Kujdes pacientin X,
U bë më mirë, do ta kalojë,

Vera, Ne jemi një, mos e harro,
Hera e parë që ne doktorë, infermierë, sanitare, Jemi Një!
Drita jeshile na mungon,
Nga sjellja e njerëzve,
Po Ne jemi Një, për ti shërbyer kujtdo…

Me sa duket, kjo pandemi do të ndryshojë përgjithnjë prioritetet e ardhshme, ku në vend të parë do të jetë shëndetësia. Tashmë çdo ditë e më tepër po del në pah roli i shkencës në jetën tonë, në mjekësi në veçanti, pasi e përsëris, ajo që ka më shumë vlerë është jeta. Shpresojmë që edhe sistemi ynë shëndetësor do të jetë ndryshe pas kësaj pandemie, që po na dëmton por edhe na mëson shumë, mes të tjerash, edhe ruajtjen dhe forcimin e traditës në formimin e personelit të ardhshëm mjekësor.

Por deri atëherë është e rëndësishme të fitojmë këtë betejë, dhe që ta fitojmë duhet të jemi në anën e duhur, pra në anën e shkencës në anën e mjekëve dhe infermierëve, që po përballen direkt me të keqen.

Media gjithashtu ka përgjegjësinë e saj të madhe për ta pasqyruar gjendjen në mënyrën e duhur, që mbase do ishte një formë midis ndërgjegjësimit të thellë, po pa kaluar në panik.

Dhe që të luftohet infeksioni dhe të lehtësohen sado pak rastet e shumta të shtrimit në spitale, a nuk vlen që përpos sensibilizimeve në masmedia, mjediset të dezinfektohen, siç e kërkojnë raste të tilla.

Por jemi edhe ne, që përbëjmë shumicën, ne që nuk duam të përfundojmë në spital dhe që shpejt mund të mos kemi as vende, edhe nëse do kemi nevojë. Bile roli ynë në gjithë këtë ngjarje të jashtëzakonshme është shumë i rëndësishëm:

​Më duket krejt e pa arsyeshme sjellja e njerëzve me mendjelehtësi ndaj virusit. Gjithsecili ka të drejtën të mendojë si të dojë për origjinën e virusit, pra të besojë ose jo në teoritë konspirative, por s’ka asnjë të drejtë të mohojë ekzistencën e tij, sepse me këtë sjellje nuk dëmton vetëm veten, por edhe shumë të tjerë.

A nuk po sillemi pak a shumë si dikur gjermanët me nazizmin ose ne me diktaturën, domethënë, me mendësinë se deri sa nuk ka ardhur në shtëpinë tone, virusi nuk ekziston. Tashmë që informacioni vjen nga të gjitha krahët, nuk kemi të drejtë të jemi të verbër.

Por me gjithë gjendjen e rëndë dhe trishtimin që na ka mbërthyer, kemi edhe disa lajme të mira:

​​Po përgatitet hapja e një spitali të ri Covid 3.
50 Infermierë të rinj vullnetarë po trajnohen.

​Mjekë të specializuar nga Italia po ndajnë eksperiencën e tyre të vyer me mjekët tanë.

Ka filluar trajtimi i pacientëve me plazmë të pasur me antikorpe, i përdorur gjerësisht në Itali.
Dhe e gjithë bota është në garë për një vaksinë, që mund të prodhohet së shpejti.

Sa më takon, me të drejtë i druhem këtij virusi, pavarësisht se kur bëra shkrimin për Konkursin e Karantinës, e trajtova me ironi, sepse në letërsi është shumë e pëlqyeshme ironia, në jetë jo kurdoherë.