.

Sezoni turistik në Evropë, zyrtarisht i humbur

Sezoni veror turistik në Evropë, mund të jetë zyrtarisht i humbur. Ka shenja se përpjekjet për të ristartuar udhëtimet dhe për të tërhequr turistët në rajonet më të vizituara të botës po dështojnë duke vënë miliona vende pune në rrezik dhe duke reduktuar shanset për një rimëkëmbje të shpejtë ekonomike nga pandemia e koronavirusit.

TUI, operatori më i madh turistik në botë, tha në një deklaratë për shtyp se prenotimet mes qershorit dhe fillimit të gushtit kanë rënë me 81 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe me një ristartim të pjesshëm të udhëtimeve në Evropë, në mes të qershorit, kompania ka shitur vetëm 16 për qind të programit të saj fillestar për verën 2020.

Aktualisht izolime të lokalizuara janë vendosur në pjesë të Evropës ndërsa rastet e koronavirusit po rriten sërish. Mbretëria e Bashkuar ka vendosur karantinën 14 ditore për ata që kthehen nga një listë në rritje vendesh.

Shoqata ndërkombëtare e transportit ajror tha se fluturimet në Evropë, muajt e fundit janë 50 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë pavarësisht rihapjes së kufijve. Gjatë katër muajve të parë të vitit, Evropa pa 44 për qind rënie turistësh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Më shumë se 7 milionë vende pune të mbështetura tek udhëtimet dhe turizmi në Evropë janë tani në rrezik. E të gjitha këto, janë shenja që tregojnë se pasojat e pandemisë do të jenë shkatërrimtare në turizëm por edhe sektorë të tjerë të ekonomisë.