.

Gjashtë kg drogë në motorin e makinës nga Shqipëria në Kosovë, arrestohet 54 vjeçari. Policia kosovare jep detaje


Një sasi prej rreth 6 kg drogë e llojit marijuanë është sekuestruar nga policia e Kosovës mesditën e sotme në pikën e kalimit kufitar të Vërmicës (Morinë).

Policia e Kosovës sqaron se lënda narkotike u gjet brenda një automjeti tip “Seat”, e cila kishte hyrë nga Shqipëria.

Droga e ndarë në 15 qese ishte vendosur në pjesën e motorit të mjetit. Në pranga ka përfunduar drejtuesi i mjetit, një 54 vjeçar me iniciale E.L.

Njoftimi:

Me datën 10.08.2020 rreth orës 11:20, Policia e Kosovës, në këtë rast zyrtarët kufitar në pikën kufitare Vërmicë, gjatë regjistrimit në sistem të automjetit “Seat” me targa lokale i cili ishte duke hyr nga Shqipëria për në Kosovë, të njëjtin kanë vendosur ta selektojnë për kontroll të detajuar në vijën e dytë të kontrollit.

Gjatë kontrollimit të hollësishëm të ushtruar nga ana e zyrtarëve policor në bashkëpunim dhe koordinim me oficerët doganor, në pjesën e përparme tek motori i automjetit janë gjetur pesëmbëdhjetë (15) qese najloni të mbushura me substancë të dyshuara narkotike e llojit marihuanë, me peshë e cila dyshohet të jetë prej rreth 6kg.

Në lidhje me rastin është njoftuar drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotik, njësia e forenzikes, dhe njësitet tjera relevante për trajtim dhe hetim të mëtejme të rastit.

Me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore DKR Prizren, është iniciuar rasti për veprën penale “Blerja, Shpërndarja, Transportimi, Prodhimi, Këmbimi, Ndërmjetësimi ose Shitja e paautorizuar e Substancave narkotike dhe psikotrope ose analoge”, ndaj të dyshuarit (E.L. viti i lindjes 1966).

Të gjitha veprimet e mëtejme ndaj personit të dyshuar, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorin kompetent./panorama