.

Tina Turner i rikthehet muzikës në moshën 80-vjeçare

Rikthehet Tina Turner. Në moshën 80-vjeçare, legjenda e muzikës, duket se do të dalë nga “pensioni” për të realizuar një këngë të re. Në fakt, do të jetë një përpunim i këngës së saj të famshme të vitit 1984 “What’s Love Got To Do With It?”, në bashkëpunim me muzikantin norvegjez Kygo.

Ishte 28-vjeçari që e bëri publik lajmin duke postuar një foto me Turner, e cila dukej në formë të shkëlqyer. Kënga do të publikohet të premten. “Nuk mund ta besoj që do të bashkëpunoj me Tina Turner, një artiste kaq legjendare”, shkroi Kygo në Twitter.

Vitin e kaluar, DJ i famshëm, emri i të cilit është Kyrre Gørvell-Dahll, risolli me remix këngën e një tjetër ikone të muzikës, “Higher Love “ nga Whitney Houston, e publikuar për herë të parë në vitin 1986.

Albumi i fundit i Tina Turner u publikua në vitin 1999, ndërsa koncertin e fundit e ka zhvilluar në vitin 2009. Ajo jeton momentalisht në Zvicër, me bashkëshortin Erwin Bach.