.

“Hapen pjesërisht listat, ndalohen koalicionet parazgjedhore”, zbardhen ndryshimet kushtetuese që miratuan sot ‘Ligjet”

Partia Socialiste bashkë me votat e opozitës parlamentare kanë eliminuar ekzistencën e koalicioneve parazgjedhore. Në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve, u miratua ndryshimi kushtetutes, sipas të cilit në zgjedhjet parlamentare nuk do të ketë koalicione parazgjedhore.

Në amendamentin që mori votat e të gjithë deputetëve, saktësohet se “kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese”.

Megjithatë bie në sy se në ndryshimin e miratuar nuk ekziston fjalia taksative e këkuar nga opozita parlamentare që në Kushtetutë të theksohet ndalimi i koalicioneve parazgjedhore. Ndërkohë rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në Kodin Zgjedhor.

Në ndryshimet kushtetuese u sanksionua kalimi pjesërisht me lista të hapura të kandidatëve për deputetë në zgjedhje. Por është bërë kujdes që listat të mos jetë tërësisht të hapura, pasi është saktësuar se “ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor”.

Gjatë diskutimit në Komision, deputetja socialiste Klotilda Bushka ka saktësuar se kalimi me lista të hapura automatikisht ndalon koalicionet parazgjedhore.

Ndërkohë që Alket Hyseni arsyetoi se mungesa e koalicioneve parazgjedhore mund t’i çojnë partitë drejt një një listë të vetme kandiatësh.

Me propozimet e hartuara ishin dakord edhe përfaqësues të opozitës parlamentare. Megjithatë Murrizi kërkoi garanci për saktësimin e pragut electoral, gjë e cila do të detajohet në Kodin elektoral.

Pas votimit me unanim në Këshillin e Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve, ndryshimet kushtetutese do kalojnë për votim në seancë plenare, ku për votimin përfundimtar është e domosdoshme vota e të paktën 94 deputetëve./BW