.

Arrestime në Tiranë, pranga 12 personave në 24 orët e fundit, 5 prej tyre ishin në kërkim

Policia ka arrestuar 12 persona në 24 orët e fundit në Tiranë teksa 5 prej tyre ishin në kërkim ndërkohë.
Të arrestuarit kishin kryer vepra penale të ndryshme si shitja e narkotikëve, kanosja, skemë mashrimi me TVSH-në, prishje e qetësisë publike etj dhe për këto për të shpallurit në kërkim ishte caktuar masa arrest me burg ose arrest shtëpie nga Gjykata e Rrethit.
Po ashtu edhe persona të tjerë u arrestuan për dhunë në familje apo thyerje të masës së sigurisë.
Njoftimi nga Policia
Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 12 persona, 5 prej tyre të shpallur në kërkim.
Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, janë kapur dhe ndaluar 5 shtetas, konkretisht:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë kapur dhe ndaluar shtetasin J. B., 28 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotikëve”. Për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasve B. S. dhe B. A., pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.
Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit M. K., 47 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” e kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Nga Sektori i Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit është kapur dhe ndaluar shtetasi D. R., 25 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Kanosja” dhe “Përndjekja”;
Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetases E. B., 47 vjeçe, pasi ka shkelur vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe u konstatua jashtë banese.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. Ç., 25 vjeç, pasi në rrugën “Mine Peza”, është konstatuar duke prishur rendin dhe qetësinë publike dhe gjatë shoqërimit ka kundërshtuar punonjësit e Policisë. Gjithashtu, nga verifikimi i kryer rezultoi se ky shtetas ka thyer vendimin e Gjykatës, e cila i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. B., 31 vjeç, pasi në rrugën ’’Jusuf Gërvalla’’, ka kërcënuar dhe ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj ish-bashkëjetueses së tij, të cilën kishte muaj që e përndiqte.
Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Ç., 51 vjeç, sepse në fshatin Gosë, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes, të cilës iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.