.

“Jam zemërthyer, gruaja ime e bukur humbi betejën”, ditë zie për John Travoltën

Aktori i njohur, John Travolta ka humbur të shoqen! Kelly Preston u nda nga jeta mëngjesin e djeshëm në moshën 57-vjeçare, pas një beteje të gjatë 2-vjeçare me kancerin e gjirit.

“Duke zgjedhur ta mbajë të fshehtë luftën e saj, ajo ka qenë duke bërë trajtime për një kohë të gjatë, e mbështetur nga miqtë dhe familja. Ishte një grua e bukur, e dashur dhe shumë e kujdesshme për familjen dhe gjithë njerëzit përreth. Sillte në jetë çdo gjë që prekte! Familja e tyre kërkon t’i kuptoni që kanë nevojë për pak privatësi gjatë kësaj kohe.”- shprehet për People një nga përfaqësuesit e familjes.
Preston la pas të shoqin, 66-vjeç dhe fëmijët e tyre, vajzën Ella, 20-vjeç dhe djalin 9-vjeçar Benjamin. John Travolta dhe bashkëshortja e ndjerë në 2009-ën humbën djalin e tyre në moshën 16-vjeçare.

“Jam zemërthyer që më duhet t’ju informoj se gruaja ime e bukur e humbi betejen 2-vjeçare me kancerin e gjirit. Lufta e saj ishte kaq kurajoze dhe kishte mbështetjen e të gjithëve. Unë do të jem në krah të fëmijëve të mi, që kanë humbur të ëmën, prandaj dua të më falni nëse s’do dëgjoni nga ne për disa kohë. Dua të dini që e marrim gjithë dashurinë tuaj gjatë kohës që do të na duhet për t’u shëruar.”- shkruan John përmes një postimi në Instagram.
Çifti u njoh në 1987 gjatë xhirimeve të filmit “The Experts”. Pas disa takimesh, John i propozoi dhe në shtator të 1991-it çiftu u martua. Asokohe, bashkëshortja e ndjerë ishte shtatzënë me djalin e tyre të parë, Jett.