.

Qeverisja dixhitale, Shqipëria renditet më e vlerësuara nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor

Ekzistenca e shërbimeve të automatizuara shtetërore është mënyra më efikase për të reduktuar korrupsionin, burokracitë dhe ineficencën e administratave publike në të gjithë botën. Për këtë arsye, qeverisja dixhitale është shndërruar në një koncept bazë të mirëqeverisjes dhe shtetit ligjor në kohët moderne.

Një raport i publikuar ditën e sotme nga “Organizata për Bashkepunim Ekonomik dhe Zhvillim” (OECD) krahason arritjet e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushën e qeverisjes dixhitale.

Sikurse shihet në tabelën në vijim, sa i përket Qeverisjes Digjitale, Shqipëria renditet më e vlerësuara nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, duke plotesuar pozitivisht numrin më të madh të treguesve (7 nga 7 treguesit dhe 5 nga 6 nën-treguesit).

Pas Shqipërisë renditet Serbia (e cila plotëson 6 nga 7 treguesit dhe 5 nga 6 nën-treguesit) dhe Maqedonia e Veriut (e cila ploteson 5 nga 7 treguesit dhe 5 nga 6 nën-treguesit). Në vijim paraqitet një shpjegim i shkurtër i secilit prej treguesve të analizuar në kete raport:

Ekzistenca e strategjive kombëtare të qeverisjes digjitale. Përveç Bosnje-Hercegovinës, të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perendimor e kanë të zhvilluar një strategji kombëtare të qeverisjes digjitale. Kjo strategji, shpesh është pjesë e strategjisë së agjendës digjitale kombëtare, ose pjesë e strategjisë së reformës së administratës publike, me fokus përdorimin e TIK-ut në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve. Në nivel OECD-je, 96% e vendeve kanë një strategji të tillë.

Organ/mekanizëm zyrtar koordinimi, përgjegjës për projektet qeveritare IT në nivel qendror

Ky lloj mekanizmi ekziston në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe në Shqipëri. Për Shqipërinë, vihet në dukje që ky rol realizohet nga Agjencia Kombetarë e Shoqërisë së Informacionit. Në nivel OECD-je, 68% e shteteve e kanë një organ të tillë.

Lista e shërbimeve publike elektronike e publikuar online

Ky tregues plotësohet vetëm nga Shqiperia, e cila e ka publikisht të disponueshme listën e shërbimeve elektronike. Gjithashtu vlerësohet fakti që Shqiperia publikon në mënyre periodike statistika të qeverisjes elektronike, përfshirë numrin e përdoruesve të regjistruar, përdorimin e shërbimeve nga qytetarët dhe bizneset etj. Sa i përket shteteve të OECD-se, 75% e tyre e kanë të publikuar listën e e-sherbimeve.

Kornizat e qeverisjes digjitale, tregues që përbëhet nga nën-treguesit e mëposhtëm

  1. Kornizë e përbashkët e ndërveprimit 2. Korniza e regjistrave bazë. 3. Infrastruktura e përbashkët TIK (qendra të dhënash të përbashkëta, rrjete)
  2. Shërbime të përbashkëta (zhvillimi i softuerëve të përbashkët) 5. Mbështetje për përdorimin e softuereve ”open source” 6. Arkitektura/Infrastruktura e të dhënave të përbashkëta

Për këtë tregues vlerësohen të gjitha vendet e Ballkanit, të cilat kanë të hartuara kornizat e nderveprimit dhe regjistrave bazë si dhe infrastrukturë të përbashkët TIK. I vetmi nën-tregues që Shqipëria nuk plotëson në fushën e qeverisjes digjitale është përdorimi i softuerëve me burim të hapur në administratë.

Përdorimi i një sistemi të vetëm identiteti digjital në nivel qeverie qendrore

Vlerësohen 4 vendet e Ballkanit (Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova), të cilat kanë integruar një sistem të vetëm identifikimi digjital në përfitimin e shërbimeve publike, duke lehtësuar aksesin e qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet online. Në nivel OECD-je, vetëm Greqia dhe Suedia nuk e ofrojne një sistem të tillë.

Prania e një politike gjithëpërfshirëse të të dhënave të sektorit publik

Edhe pse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë ende një politike të dedikuar sa i përket të dhënave të sektorit publik, të gjitha perveç Bosnje-Hercegovinës vlerësohen për përfshirjen e saj në politikat e Qeverisjes së Hapur (Open Government). Krahasuar me vendet e OECD-së, vetëm 14% e tyre kane një politike të dedikuar.

Ndërveprim i të gjithë të dhënave elektronike ndërmjet institucioneve të sektorit publik

Evidentohet rasti i Shqipërisë, e cila ka integruar sistemet backend të institucioneve publike, duke i bërë ato të ndërveprojnë dhe shkëmbejnë të dhëna në kohë reale, në mënyre të sigurt.

Detyrim i parimit ”Open by default” për të dhënat qeveritare. Ky tregues konsiston në afishimin e të dhënave të sektorit publik, në formate të hapura, perveç rasteve të informacioneve konfidenciale apo ato me rëndësi kombëtare. Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia publikojnë të dhena të hapura qeveritare në portalet respektive. Sa i përket vendeve të OECD-se, këto detyrime egzistojnë në 57% te tyre./Shqiptarja.com