.

Basha takim me Dhomën Gjermane të Tregtisë: PD ka planin për daljen nga kriza ekonomike

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është takuar sot me përfaqësues të Dhomës Gjermane të Tregtisë për të diskutuar rreth situatës ekonomike të vendit.
Basha në postimin e tij në Facebook shprehet se përfaqësuesit e Dhomës Gjermane e vunë theksin te disa prej shqetësimeve të tyre: si klima negative për biznesin, mungesa e konkurrencës dhe transparencës etj.
“Krahas krizës së thellë ekonomike, vendi sot po përballet dhe me rëndimin e krizës shëndetësore, ç’ka e tregojnë numrat në rritje të të infektuarve dhe atyre që humbasin jetën me COVD-19 dhe mungesa e strategjisë nga ana e qeverisë për t’u përballur me të,” shkruan Basha.

Postimi i plotë
Situata e vështirësuar ekonomike dhe plani i PD për nxjerrjen e vendit nga kriza, ishin dy nga çështjet kryesore që diskutova sot me përfaqësues të Dhomës Gjermane të Tregtisë, e cila ka 92 anëtarë dhe përfaqëson kompanitë më të mëdha gjermane që operojnë në Shqipëri.
Përfaqësuesit e Dhomës Gjermane të Tregtisë më njohën me shqetësimet e tyre kryesore: Klima negative për ekonominë dhe biznesin, mungesa e konkurrencës dhe transparencës, zvarritjet, burokracia dhe korrupsioni, pasiguria për investimet, ndryshimet e shpeshta të politikave fiskale dhe konkurrenca e pandershme.
Krahas krizës së thellë ekonomike, vendi sot po përballet dhe me rëndimin e krizës shëndetësore, ç’ka e tregojnë numrat në rritje të të infektuarve dhe atyre që humbasin jetën me COVD-19 dhe mungesa e strategjisë nga ana e qeverisë për t’u përballur me të. Në vend të akordimit të fondeve për shëndetësinë, mbështetjen e biznesit dhe punësimit, qeveria vazhdon të marrë borxh për PPP, tendera e koncesione korruptive.
Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme, tërheqëse për investitorët dhe që janë mundësi për çdo qytetar për të punuar dhe jetuar mirë në vendin e tyre. Vendit i duhet një qeveri e përgjegjshme, e cila të vërë Shqipërinë në punë dhe jo ta ndajë, siç ndodh sot, si plaçkë mes pushtetarëve dhe një grushti oligarkësh.
Ne kemi punuar ngushtësisht me ekspertët më të njohur ekonomik të CDU-së, me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer për planin tonë ekonomik, në qendër të të cilit është bërja e Shqipërisë një vend terheqës për investimet e huaja, mes të cilëve edhe atyre nga Gjermania, të cilët kanë një potencial të madh investimi dhe punësimi.
Ekonomia, punësimi dhe mirëqenia e shqiptarëve do të përftohen drejtpërdrejt nga plani ynë ekonomik. Taksë e sheshtë 9%, heqja e taksës “Rama” 24 lekë për litër mbi karburantin, moratoriumi 1 vjeçar për inspektoriatet dhe transparenca totale me paratë publike, janë disa nga masat e shpejta që do të marrim në këtë drejtim. Prioritet do të jetë lufta kundër korrupsionit, konkurrencës së pandershme dhe monopoleve dhe garantimi i sigurisë së biznesit.
Në takimin me përfaqësues të Dhomës Gjermane të Tregtisë mora mendime dhe sugjerime të vlefshme, të cilat do të përfshihen në planin tonë ekonomik dhe për një Shqipëri me një ekonomi të shëndetshme, të hapur dhe konkurruese që prodhon mirëqenie për të gjithë shqiptarët.