.

Po shkonte drejt Shkodrës me automatik me silenciator, arrestohet vrasësi me pagesë. Dyshohet se…

Një 48-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi u kap duke qarkulluar me një motor pa targa dhe me armë me vete. Bëhet fjalë për shtetasin Gentian Bajramaj, 48 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për mashtrim dhe dhunë në familje. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se ky shtetas është përdorur nga grupe kriminale për vrasje me pagesë. Ai u kap duke qarkulluar nga Tirana në drejtim të qarkut Shkodër.
Policia i sekuestron një armë zjarri automatik “Scorpion” me silenciator dhe 20 fishekë, me të cilën dyshohet se do kryente një vrasje.

“Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, pas informacioneve të marra në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte me një motomjet pa targa i cili kishte armë me vete dhe dyshohej se mund të kryente një vrasje të porositur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Mision i pamundur”.
Falë ndërhyrjes në kohë, në fshatin Guri i Zi, forcat e Policisë të DVP Shkodër, në bashkëpunim me forcat “Shqiponja”, kanë bërë të mundur kapjen e shtetasit Gentian Bajramaj, 48 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për mashtrim dhe dhunë në familje.
Në momentin e kapjes, këtij shtetasi, në një çantë krahu që mbante me vete i është gjetur një armë zjarri automatik “Scorpion” me silenciator dhe 20 fishekë luftarak.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar arma e zjarrit dhe motomjeti pa targa. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër vijon puna për zbardhjen e arsyes së qarkullimit me armë zjarri me silenciator dhe motomjet pa targa. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.”,- thuhet në njoftimin e policisë.